Prej të paktën 3 orësh në Kuvendin e Shqipërisë po vijon seanca plenare. Por referuar fotove të siguruara për “BalkanWeb” nga gazetarja Erjola Jata, në sallë janë vetëm deputetët e Partisë Socialiste.

Opozita e ka bërë publik qëndrimin e saj për të bojkotuar Kuvendin deri në plotësimin e kërkesës për krijimin e një qeverie teknike si kusht për zgjedhje të lira e të ndershme.

Por ajo që bie në sy është se punimet parlamentare i kanë braktisur edhe ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
parlamenti-bosh
Me largimin e Ilir Metës nga seanca, fill pasi kryeministri, Edi Rama mori fjalën, Silva Caka, siç shihet në foton e siguruar nga “BalkanWeb”, është e vetmja përfaqësuese e kësaj partie në parlament.

Dhe kjo për shkak se ajo ka regjistruar emrin për të folur për projektligjet në rendin e ditës. Ndërsa gjithë kolegët e saj të LSI-së prej orësh nuk ndodhen në sallë.
parlamenti-bosh-1
Seanca po vijon me diskutime vetëm të deputetëve socialistë, të cilët duket se po bëjnë “monolog” për shkak se nuk ka askush që mund t’i kundërshtojë për ato çfarë po thonë.

Ndërkohë veç tyre, punimet po i ndjekin edhe dy deputetët e LIBRA-s, Ben Blushi e Mimoza Hafizi si edhe deputeti më i ri i PDIU-së, Edmond Zejno.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb