TIRANE-Luçiana Mita është një prej të mbijetuarave të ngjarjes tragjike në Krujë, pas shpërthimit në flakë të autobusit në Krujë. Ajo ndodhet në repartin e djegie-plastikës në QSUT. Fotoja e saj nga spitali është publikuar nga një mik i saj, gazetari Ilir Kadia në facebook. Luçiana ka thënë se “Na mori në qafë shoferi” pasi flakët kanë nisur tek motori para.

“Luciana është më mirë se të gjithë të tjerët, më thotë një doktoreshë. Bobooo! -thashë më vete. Qënka bërë hataja! I putha gishtat shoqes së bankës të fakultetit. Qeshi në sytë me rimelin e tymit nxirë. “Na mori në qafë shoferi!” Flaka nisi tek motori para”, shkruan Kadia.

“DIKUSH THEU XHAMIN E DOLËM NGA DRITARJA”
Ndërsa Atë Kostandin Prifti ka rrëfyer në një lidhje telefonike për News24 se si kanë mundur të shpëtojnë nga autobusi që shpërtheu menjëherë në flakë.

Ai ka thënë se dikush theu xhamin me një varre dhe disa dolën nga dritarja dhe disa nga dera.

“Ishim në udhëtim për në Krujë. Autobusi u ndez menjëherë. Shoferi hapi kroskotin, por flakët përpinë të gjithë autobusin. Dikush na ndihmoi theu xhamin me një varre. Disa dolën nga dritarja dhe disa nga dera. Ishim 31 veta. Ishim nisur për në Shkodër dhe do shkonim në Ulqin dhe do ktheheshim nesër. Filloi të futej tym brenda, shoferi ndaloi dhe sa ndaloi filloi flaka dhe ne u hodhëm poshtë”, ka treguar Atë Kostandini.

Dy persona humbën jetën sot në ngjarjen tragjike në Krujë ku një autobus shpërtheu në flakë ndërsa ishte në ecje. 10 persona ndodhen në repartin e djegie plastikës në QSUT dhe një pjesë e tyre janë në gjendje të rëndë. Nuk dihen ende shkaqet por mendohet se flaka ka ardhur nga motori.

“5-6 GRA TË DJEGURA MË SHUMË”
Një tjetër dëshmitar, banor i Krujës thotë se autobusi u përfshi nga flakët në pjesën e përparme dhe të pasme. “Zjarrfikësja, personeli i bashkisë shkuan menjëherë. Njerëzit që morën flakë ishin të djegur shumë dhe në gjendje shoku. 5-6 gra ishin të djegur shumë, dukeshin grada e tretë. Ata që ishin më afër kanë dalë më shpejt. Flaka është parë nga motori, nga pjesa e përparme dhe e pasme”, tha ai.

“GJITHÇKA NDODHI PËR 5-6 SEKONDA”
Një prej udhëtarëve, Aleksandër Averbak i cili ka qenë në autobus bashkë me gruan dhe vajzën Aneta Averbak dhe Nikita Averbak thotë se gjithçka ka ndodhur në pak sekonda dhe se njerëzit nuk dilnin dot nga dera, e cila ishte në pjesën e përparme të autobusit.

“Punë 5-6 sekondash ishte e gjitha. Doli tymi menjëherë. Isha tek sedilja e tretë. Dera ishte shumë para dhe nuk dilnin dot njerëzit. Kur plasi menjëherë zjarri filluan të dilnin të gjithë, po nuk kishin nga të dilnin. Shoferi doli jashtë po nuk kishte çfarë të bënte. Isha me gruan dhe çupën, kunatin dhe kunatën. Mirë janë. 1 person njihja nga të lënduarit. Nuk është hera e parë, kemi shkuar edhe herë të tjera. Këto janë gjëra që ndodhin, ndoshta fati”, ka thënë Aleksandri.

VIKTIMA U SHKRUMBUA, U GJET VETEM KUR I SHUAN FLAKET
Një dëshmitar tregon shkakun se përse viktima u identifikua në fund. “Vdekja e zonjës ishte e rëndë. Ngushëllime familjes. E konfirmuam në fund, pse e gjetëm kufomën vetëm kur u shuan komplet flakët. Ishte tepër e rëndë, shokuese”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: