TIRANE- Dhuna në familje është kthyer në një fenomen çdo ditë e më shumë shqetësues pëe shoqërinë shqiptare. Rastet kur dhuna fizike e psikologjike degjeneron deri në vrasje, nuk janë pak. Vetëm një ditë më parë, një burrë nga Pogradeci vrau bashkëshorten e tij për shkak të xhelozisë, pasi dyshonte se e tradhtonte.

Një tjetër ngjarje që tronditi opinionin publik këtë verë, ishte vrasja e gjyqtares së Shkodrës Fildez Hafizi nga ish-burri i saj në mes të ditës, në një zonë të populluar të kryeqytetit.

Pikërisht kjo temë, dhuna në familje është diskutuar në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, duke ngjallur jo pak debate.

Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato tha para anëtarëve të komisionit se, policia po analizon rastet dhe po studion mënyrën e ndërhyrjes. Ati shtoi se për goditjen e rasteve të dhunës në familje nuk mjafton vetëm policia, por duhet edhe partneritet mes aktorëve të tjerë.

Por deputeti i PD, Flamur Noka ka ndërhyrë, duke u shprehur se “Kjo polici është e mbytur me drogë, qytetarët nuk kanë besim, pasi në polici janë kthyer të gjithë të inkriminuarit”.

Ndërsa, deputetja socialiste Elona Gjebrea tha se denoncimet në polici për dhunë në familje, janë rritur.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: