TIRANE– Ekstradimi i Nazer Seitajt në Itali, i ashtuquajturi financieri i grupit të Habilajve, ka ngjallur debate të forta politike. Lidhur me këtë çështje ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj tha se nëse dihej fakti se personi në fjalë ishte në hetim nga pala shqiptare, nuk duhet të ekstradohej.

I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, ministri Xhafaj është ndalet edhe tek çështje të tjera sensitive në vend, çështja “Tahiri” dhe operacionin “Forca e Ligjit”.

Ministri Xhafaj thotë se do të mbyllë sfidat që paraqiten në detyrën e tij, në mandatin si ministër i Brendshëm.

INTERVISTA

Jemi këtu me një nga ministrat më me peshë të mazhorancës aktuale, për të folur mbi Policinë, Ministrinë e Brendshme, politikën, dhe shqetësime të medias dhe qytetarëve. Dje mbrëma ka pasur një ekzekutim me 4 plumba, me precedentë viktima Devis Kasmi, dhe i dyshuari Konjari. Zoti ministër, një koment?
Ndoshta nuk do ishte mirë të nisnim nga pjesa e zezë. E vërtetë që ka pasur një ngjarje të rëndë. Policia (që e ka detyrë dhe jo ministri) ka bërë publike të dhënat. Dhe mund t’ju them se Policia sapo ka ndaluar dhe ka kërkuar arrestin e bashkëpunëtorit kryesor të kësaj ngjarjeje kriminale. Kanë qenë dy vete në motor dhe janë ndihmuar nga persona të tjerë. Policia, nën drejtimin e Prokurorisë do kryejë procedurat e mëtejshme. E reja e kësaj ngjarjeje është pikërisht kjo. Në orët në vijim, për sa i lejohet, Policia do publikojë të dhënat. Me këtë rast i bëj apel edhe medias që mos t’i kërkojë Policisë informacione të pamundura të bëhen publike për shkak të hetimit.

Konfidencialiteti është element kryesor për të gjetur të vërtetën. Dhe më shumë se publikimi i të dhënave duhet të na interesojë gjetja e të vërtetës.

Konjari kishte qenë person në kërkim. A mund të shpallet dy herë në kërkim i njëjti person?
Policia nuk ka shpallur dy herë në kërkim të dyshuarin kryesor. Thjesht e ka identifikuar. Këta janë persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Dhe të tillë që i shpëtojnë drejtësisë nuk ka vetëm Shqipëria. Nuk hyj në detajet e dosjeve hetimore dhe besoj se është e mira e punës së një ministri të brendshëm të përfshihet as profesionalisht es emocionalisht në punën e një institucioni tjetër, për atë që është detyrë e Policisë Gjyqësore.

Ndërkohë sipas profilit kriminal të Konjarit që ka policia, ai rezulton person me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe fakti që ka korruptuar dhe individë në gjyqësor ka sjellë probleme mes drejtësisë Shqiptare dhe asaj Franceze. Ndaj krijuam Byronë e Lartë të Hetimit dhe Gjykatën që do merret me krimin e organizuar.

Nuk është e vërtetë që nuk kanë shkuar njerëz në burg. Këto nuk janë histori të sotme. Nëse mendoni se dikush kryen një krim dhe pas 5 minutash e kap policia, nuk besoj se ai është kriminel. Në shtator pati një tentativë vrasjeje, u deshën 8 muaj të zbardhej ngjarja. Para pak kohësh u arrestua nga Gjykata një person prej 4 vitesh nën hetim.

Kalimi nga dyshimi, zbulimi, identifikimi, ndalimi, arrestimi nuk është proces i lehtë. Grupe kriminale kanë mundur t’ia hedhin organeve ligjzbatuese shumë më të sofistikuara se ne. Francës i janë dashur vite për t’i ndjekur këta persona.

Një prej këtyre dy personave është pjesë e grupeve kriminale me aktivitet në Spanjë, Francë, Shqipëri. Nuk janë persona lehtësisht të kapshëm nga policia, jo vetëm për Shqipërinë që ka burime të kufizuara njerëzore e teknologjike, por dhe për Francën, Gjermaninë etj. Lëvizin me identitet të rremë, gjë që ua mundëson dhe lëvizja e lirë.

Në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit” mundësohet ngritja e skuadrave të përbashkëta të hetimit për grupe kriminale me elementë apo veprimtari në disa vende. Proces të tillë hetimesh të përbashkëta kemi pasur me Gjermaninë.

Trafiku i drogës nuk është çështje Shqipërie apo Ballkani, por Europe.

ÇËSHTJA “NAZER SEITI”, FINANCIERI I HABILAJVE
Nazer Seiti, a duhej ekstraduar apo jo?
Nga pikëpamja e marrëdhënieve juridiksionale nisur nga fakti i hetimit dhe kërkesës nga pala italiane, patjetër.

Nga fakti që ka pasur hetim për personin në fjalë, duhej arsyetuar ndryshe. Ai është pjesë e grupit kriminal të hetuar në Catania.

Cili institucion gaboi sipas jush?
Nuk e kam parë dosjen në tërësinë e saj. Ka nisur një hetim Prokuroria e Durrësit për këtë çështje, i duhet lënë asaj në dorë. T’i japim mundësinë ta hetojë, të identifikojë problemet, përgjegjësitë.

Ju do ta firmosnit ekstradimin?
Po të mos kisha dijeni se ka pasur hetim, po. I kam kërkuar SHÇBA-së, me urdhër ministri, të hetojë veprimet e Policisë, e cila nuk rezulton me asnjë shkelje. Mbetemi të hapur për çdo hetim të prokurorisë.

Kur Policia kur e ka ndaluar, nuk e ka ndaluar si person nën hetim nga Krimet e Rënda, por në kuadër të një operacioni pa pasur një mandat arresti për personin në fjalë. I ka kërkuar policia palës italiane që ai person ka qenë në kërkim ndërkombëtar, dhe në asnjë rast në Interpol Tirana nuk rezulton një dokument që provon se ky person është me vendim arresti nga Prokuroria shqiptare. Policia e ka identifikuar e para, pa asnjë kërkesë të prokurorit.

Të mos harrojmë se Dosja ‘Habilaj’ është hapur në 2016. Në 2017 Drejtoria e Hetimit në Policinë e Shtetit i ka kërkuar DVP Vlorë të meret me çështjen. Nga mars-prilli DVP Vlorë i ka referuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda nisjen e hetimeve. Nga ky moment nga Krimet e Rënda nuk ka pasur asnjë komunikim me DVP Vlorë, e cila ia referoi çështjen.

Policia po bënte veprimet e saj në kuadër të arrestit ndërkombëtar, kaq dinte. Nisur nga raportet juridiksionale, Nazer Seiti duhej të ekstradoihej. Nëse Prokuroria e Krimeve të Rënda do t’i bënte me dije se është nën hetim…

Çfarë mendoj unë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ua kam thënë në sy, e kam thënë dhe publikisht. Por nuk jam në dijeni të çështjes. Policia ka njoftuar Prokurorinë se kur do kalonte në Rinas, sipas njoftimit të Interpol Romës. Në kërkim (TIMS) dalin ata që janë në kërkim ndërkombëtar.

ÇËSHTJA TAHIRI DHE AKUZAT E OPOZITËS (PD-LSI)

Opozita akuzon se Seitaj u ekstradua me urdhër të kryeministër?
Tani unë nuk di kush është ky nga opozita që di çfarë ka brenda çështjes, dhe di kush do pendohet, apo kush do bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Unë nuk kam dëgjuar deri më sot një gjë të tillë nga prokurori. Për faktin që opozita nxjerr video ndërsa kryen operacione kam bërë kallëzim në prokurori.

Kanë reaguar Bylykbashi, LSI sot ka reaguar “Shteti i kundërvihet drejtësisë”…
Edhe drejtësia është pjesë e shtetit, funksion i tij. Natyrisht edhe ekzekutivi është pjesë dhe nuk i kundërvihet drejtësisë, ka përfunduar ajo kohë. Shteti nuk është Rama, ai është KM por jo shteti vetë. Edhe opozita është pjesë e shtetit.

Rasti Tahiri, ju kanë habitur rastësitë fatale të aktivitetit të tij?
Nuk jam oficer i Policisë Gjyqësore që merret me çështjen konkrete, as prokuror. Përtej gjykimit politik, moral, profesional, do ishte mirë që hetimi penal, që nuk është çështje që na takon, t’u lihej organeve kompetente. Natyrisht nuk është çështje pa ndikimin e saj. Por e para, është çështje ende nën hetim. Së dyti, mazhoranca është shumë më tepër se një apo dy individë. Përgjegjësia në finale është individuale. Në momentin e duhur mazhoranca apo kryeministri bënë veprimin e duhur.

Si mund ta ndalojë politika hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda? Që të jemi të qartë: mungesa e arrestit nuk e pengon Prokurorinë të bëjë hetime pasi z.Tahiri nuk ka imunitet për shkak të hetimit. Provat që solli Prokuroria nuk ishin bindëse për masën “arrest me burg”. Ju mendoni se Nazer Seiti është dëshmitar apo hetohet për Tahirin? Unë di se është pjesë e grupit kriminal të Habilajve që ndiqet nga prokuroria e Catani-s. Nuk e di për çfarë hetohet.

Ekstradimi i tij nuk dëmton procesin e hetimit të çështjes Habilaj? Ligji shqiptar a e ndalon që një person nën hetim në Shqipëri të ekstradohet?
Ai u ekstradua, por nëse ka pasur edhe hetim kombëtar edhe mandat arresti ndërkombëtar, prokuroria mban përgjegjësi. Unë kam besim se prokurorët tanë mund të hetojnë edhe një ministër. Ne duhet të heshtim dhe të presim replikën e tyre. Sepse kjo është qasja e duhur ndaj institucioneve dhe ligjit. Pse e paragjykoni ju hetimin e prokurorisë së rrethit të Durrësit për këtë çështje? Duhet të keni të njëjtin standard. Sipas SHÇBA të MB-së, Policia nuk ka shkelur ligjin. Jemi të hapur për hetime të Prokurorisë. 

Po bëhen hetime. Dhe janë 7 institucione në lojë…
Doni të sulmoni Prokuroren e Përgjithshme apo të Krimeve të rënda? Bëjeni. Por lereni mënjanë emocionin. Lerini të kryejnë hetimet. Publiku është shpesh më i qetë se ju. Se pret të vërtetën nga hetimi.

Por të vërtetën dhe nga media.
Absolutisht. Prandaj jam këtu, që të më bëni pyetjet e duhura. Nëse Prokuroria i ka dërguar Policisë për ta hedhur në TIMS urdhër-arrestin, atëherë Policia ka përgjegjësi. Me sa njoh, me kontrollin e SHÇBA-së, policia nuk ka pasur dijeni për hetimet e Krimeve të Rënda dhe detaje të dosjes Tahiri. Unë nuk di që detaje të dosje të jenë bërë publike. Unë nuk kam dijeni.

Sa e ka rrëzuar çështja Tahiri imazhin e qeverisë?
Ndërkohë që çështja është në hetim dhe i takon organeve që e kanë marrë përsipër të çojnë hetimin deri në fund. Është një çështje që nuk mund të them se nuk ka pasur ndikim, nuk mund të them të kundërtën. E para është një çështje nën hetim. Cilidoqoftë, mazhoranca është shumë më tepër se kaq, nuk është një individ. Përgjegjësia në finale është individuale. Ndërkohë që mazhoranca ndërmori veprimin e duhur për këtë çështje.

Ju po thoni që mazhoranca apo kryeministri nuk ka përgjegjësi politike?
Unë besoj se në momentin e duhur bënë veprimin e duhur dhe me përgjegjësi.

Dosja “Tahiri” është një ndër më të rëndësishmet gjatë këtyre viteve të tranzicionit?
Po si mund ta pengojë politika këtë ngjarje. A ka sot një shqetësim të Prokurorisë së Krimeve të rënda që e ka penguar politika të hetojë?

Thuhet se Seitaj ka kaluar sistemin TIMS…
Nëse prokuroria ia ka çuar policisë për t’ja hedhur në TIMS, do e kishte hedhur.

E dinit që po hetohej Seitaj?
Nga ta di unë. Ministri i Brendshëm si di të gjitha. Se për ça po hetohet Tahiri se di. Nuk e di që dosja është bërë publike, se di. Nëse në prokurorinë e Krimeve të Rënda i nxjerrin dosjet

Të paprekshëm në burg kemi?
Të paprekshëm janë ata që kanë kryer një krim penal dhe nuk dënohen.

Cilët janë ata?
në vlerësimin tim e kemi identifikuar qartë. Se cilët janë ata persona që janë të rrezikshëm. Dyshojmë dhe kemi prova që kanë kryer shkelje penale dhe janë duke u hetuar. Prokuroria e ka çmuar të arsyeshme të marrë masë sigurie ‘arrest me burg’ për ata që sot janë duke vuajtur dënimin.

Sa ka avancuar procesi për goditjen e 4 grupeve kriminale?
Së pari unë kam folur për grupet në Shkodër. Dhe kam thënë se në këtë qark janë identifikuar 5 grupe, dhe njëri prej tyre është goditur.

A janë identifikuar 4 familjet mafioze në vend, 20 grupet kriminale, që tha ambasadori Lu?
Janë më shumë se 20.

Ku janë këta persona?
Janë të shpërndarë nëpër territor. Tirana ka peshën më të madhe. Janë Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani, janë për çështje të ndryshme, kryesisht për kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, për vrasje dhe çështje të tjera penale. Ka një pjesë prej tyre që janë në territorin shqiptar, ka një pjesë që janë larguar. Disa janë larguar edhe gjatë kësaj periudhë për shkak të presionit që është krijuar.

A ka të paprekshëm mes tyre?
Jo nuk ka.

Po familje mafioze të paprekshme?
Mund të jenë 4 apo 5, apo më shumë.

Ambasadori Lu tha 4 familje?
Ambasadori Lu nuk është prokuror, ai thotë ato që i japë paraqitur përmes informacioneve. Ne nuk duhet të fokusohemi tek numrat konkretë, por lufta ndaj këtyre problemeve. Megjithatë do thoja se këto familje apo grupe kriminale, nuk janë tipike mafioze, ketë e themi ne e kanë thënë edhe të huajt. Ky është një proces, për të bërë identifikimin duhet kohë.

Kush janë bosët e drogës të 2016-s?
Të ndajmë dy gjëra të rëndësishëm. Kur flasim për kultivimin, ne duhet të pranojmë se ska asnjë arsye se pse duhet t’ja bëjmë këtë gjë vendit tonë. Fakti se 2016 konsiderohet nga ndërkombëtarët viti më i mirë për kultivimin e kanabisit, ka pasur shumë pak. Shqipëria për 2016-ën nuk është në vendet që kultivojnë kanabis.

Ku janë bosët që mbollën kanabisin dhe drogën?
Në 2016 pati një rritje të jashtëzakonshme të shtrirjes në territor ku u implikuan fermerë dhe policia. Struktura dhe individë të caktuar në Policinë e Shtetit. Kemi bërë identifikimin e grupeve kriminale që kanë marrë pjesë në këtë proces. Qeveria mori një plan masash për goditjen e grupeve kriminale që është ‘Forca e Ligjit’. Viti 2017 është viti më shifrën më të lartë të në raport me çdo vit tjetër. Janë rreth 40 mln dollarë të sekuestruara gjatë 2017-ës. Kjo është pjesa më e vështirë që t’i marrësh pasurinë. Nëse u prek pasurinë është me e rëndë se sa çdo lloj veprimi tjetër.

Sa duhet të jetë totali i kësaj paraje?
Jo nuk kam asnjë lloj parashikimi, pasi është një lloj sikur të parashikosh një gjë që s’di ça është dhe si ta pjesëtojë.

(el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb