Zvicër-Poloni do të çelë raundin e 1/8-ave, përballjet me eliminim direkt që fillojnë këtë të shtunë në orën 15:00. Si skuadra e Petkoviçit, ashtu edhe ajo e Navalkës u kualifikuan si vende të dyta në grupet e tyre, pas shpinës së Francës dhe Gjermanisë. Helvetët dhe polakët kanë shënuar nga dy gola gjatë fazës në grupe, ndërsa Somer e ka nxjerrë topin një herë nga rrjeta e tij, ndryshe nga Shezni që e ka ruajtur të paprekur kuadratin. Petkoviç pritet që t’i besojë sërish boshtit shqiptar, ku Shaqiri, Behrami, Mehmedi, Xhemajli dhe Xhaka do të jenë titullarë. Navalka nga ana tjetër shpreson që një nga sulmuesit më të mirë në këtë turne, Robert Levandovski, të gjejë më në fund rrugën e rrjetës dhe të udhëheqë të tijtë drejt çerekfinales.

Në orën 18:00 do të shijojmë një derbi britanik, ku Uellsi dhe Irlanda e Veriut do të luajnë mes tyre kualifikimin për në çerekfinale. Diferencat mes të dyja ekipeve janë mjaft të mëdha. Uellsi ka Gareth Bejlin në gji, sulmuesin që ka shënuar në të tria ndeshjet e fazës në grupe, ndërsa së bashku me Ramsejin dhe Xho Alenin, krijojnë një treshe të frikshme ofensive. 6 golat e shënuar në grupe e bënë Uellsin skuadrën më produktive në sulm dhe Irlanda e Veriut, një skuadër e brishtë që habiti mbarë kontinentin me fitoren e saj ndaj Ukrainës. Takimi ndaj Polonisë dhe Gjermanisë tregoi se Irlanda e Veriut ka burime të vakëta në skuadër, ndaj e bazon lojën e saj në grup. Por nuk duhet nënvlerësuar kurrsesi. Për këtë, mund të pyesni Ukrainën.

Ndeshja e fundit e ditës do të luhet në orën 21:00 dhe do të kemi fatin që të ndjekim një takim që pritet të dhurojë spektakël. Dy nga skuadrat më me shumë talente do të ndeshen mes tyre. Kroacia e Modriçit, Perisiçit, Brozoviçit, përballë Portugalisë së Ronaldos, Andre Gomeshit e Nanit do të luftojnë për të fituar të drejtën e pjesëmarrjes në çerekfinale. Kroacia është ekipi që dhuroi ndeshje fantastike në grupe, ndërsa Portugalia, e varur nga Ronaldo, kaluan me 3 barazime. Por lajmi i mirë është rikthimi te goli i Ronaldos. Ylli i Real Madridit që me dygolëshin ndaj Hungarisë, arriti të bëhet lojtari i vetëm që ka gjetur rrugën e rrjetës në 4 Europianë të luajtur.

(d.b/j.selimi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: