NGA FATMIR POPJA

ELBASAN-
Që nga mesdita e kësaj të premteje, lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati në disa zona dhe ka përmbytur dhjetëra hektarë me tokë bujqësore dhe serra. Sipas burimeve zyrtare rezulton se përmbytje ka në Njësitë Administrative Papërr, Pajovë, Polis, etj; rrjedha e këtij lumi ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar përmbytje të konsiderueshme.

Banorët e këtyre fshatrave ankohen se nuk kanë mbështetjen e duhur në këto momente. Sipas tyre asgjë nuk është bërë gjatë këtyre viteve për t’i mbrojtur nga përmbytjet që shkakton Shkumbini, dhe se i gjithë mundi i vitit u ka shkuar dëm.

Për shkak të mbizotërimit të motit të keq, banorët shprehen se kanë frikë nga përmbytja e banesave.
Ndërkaq në Papërr uji ka përmbytur tokat dhe serat, ndërsa në Cërrik stacioni i pompave të ujit është rrethuar nga të gjitha anët nga vërshimi i rrjedhës së Shkumbinit.

Banorët shprehen se kompanitë e sigurimeve nuk i sigurojnë, shteti nuk i ndihmon dhe se nuk dinë ku të gjejnë mbështetje.

Situatë e rënduar paraqitet edhe në disa fshatra të bashkive të Gramshit, Librazhdit, Përrenjasit, Peqinit, dhe Belshit, ku në shumë fshatra mungon energjia elektrike.

Megjithatë, pushteti vendor dhe autoritetet shtetërore gjatë gjithë kohës ndodhen në terren duke monitoruar situatën, ndërsa sektori i emergjencave civile ka kontribuar maksimalisht në menaxhimin e situatave problematike, të cilat kanë filluar të shfaqen gjatë orëve të fundit.

Bashkia e Elbasanit bëri me dije mesditën e të premtes se në Njësinë Administrative Labinot Mal është bllokuar rruga për në fshatin Lamollë, dhe nuk mund të qarkullojnë mjetet. Rruga e Griqanit kalohet me vështirësi, pasi është përmbytur nga vërshimi i ujërave, në Njësinë Administrative Tregan është shkatërruar rrjeti i ujësjellësit të fshatit Tudan .

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: