Nga: Jeton Selimi

Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, ka reaguar ashpër pas vendimit që Komisioni i Disiplinës dha për trazirat në ndeshjen kundër Kukësit, ku dënoi me 4 ndeshje pa tifozë Partizanin dhe vetëm me gjobë Kukësin. Në një intervistë dhënë për rubrikës SportNews në televizionin News 24, Demi deklaron se nuk mund të pajtohet me ate që ai e cilëson maskaradë të FSHF-në dhe të presidentit të saj
President, kemi një vendim të Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, që e ka dënuar Partizanin me 4 ndeshje të radhës pa praninë e tifozëve

Ky nuk është vendim, është një maskaradë me plot kuptimin e fjalës sepse nuk mund të ketë vendim ku bujtësi të dënohet dhe mos të dënohet pritësi sikundër na ndodhi ne në deri që për dy shihe ujë u dënuam me një ndeshje, ndërsa në Kukës tifozëria vendëse çfarë nuk hodhi në fushë. Këtu maskarada fillon që nga ata që dërgon federata atje se çfarë raporti kanë dorëzuar. Situata atje ka qenë e tensionuar dhe pasi e kam vërtetuar si problem, tifozëria e Partizanit është pothuajse e pafajshme. Unë nuk kam dashur të merrem me këtë punë, por kjo tregon që këtu nuk ka federatë, ka një paçavure, ku emrin e kësaj federate e ka ai kryetari i federatës. Ai i bën të gjitha këto. Ne do ta ndjekim si klub dhe do ta vazhdojmë me mënyrë demokratike sepse nuk mund ta nënshtrojnë Partizanin disa rrugeçër të kësaj federate që rastësisht drejtojnë futbollin shqiptar.

Po të shohim kronologjinë e ngjarjeve, nga fillimi i sezonit dënimet e Partizanit kanë qenë në seri. Mendoni se është tendencioze nga ana e federatës?
Me këtë vendim të fundit, që është tendencioze as nuk diskutohet. Kush do ta dëgjojë do të qeshë. Është një turp i madh. Kjo është një maskaradë e radhës që i bëhet Partizanit. Këta janë futur në garë për ta prishur atë. Ne do ta vazhdojmë garën, por maskarada e federatës, këtë herë e tregoi veten se është një shërbëtore e atyre që u bien krahëve.
Nga kjo situatë duket se përfitojnë në mënyrë indirekte Kukësi dhe Skënderbeu, dy rivalët tuaj, pasi ju do luani disa ndeshje pa praninë e tifozëve.
Si me tifozë, si pa tifozë, Partizani do të luajë, do të ndeshet. Më vjen shumë keq për tifozërinë e Partizanit që me pa të drejtë vuan këtë dënim. Megjithatë ne jemi ai klub që jemi dhe do të vazhdojmë që të luftojmë fort deri në ditën e fundit, deri në momentin e fundit, për titullin.
Mund të themi se në këto çaste, nga tre kryesuesit Partizani është oponenti i vetëm i federatës?
Ajo as që diskutohet. Madje dhe shumë të tjerë që flasin e bëjnë nëpër tavolina pasi jashtë nuk guxojnë të flasin. Nuk e di se si i ka trembur federata, por ata duhet të kuptojnë që federata është vetëm një mbarëvajtëse e kampionatit dhe nuk ka asgjë në dorë. Presidentët i bëjnë investimet me paratë e tyre. Këto situate janë ca meskinitete, ca paturpësi. Partizani do të përballet me federatën në çdo drejtim.
Ditët e fundit ka pasur disa aludime nga ana e klubit të Skënderbeut për një aleancë të mundshme tuajën me Laçin.
E kam dëgjuar një drejtor palaço, se nuk i di as emrin, që ato që bëjnë vetë, duan t’ua fusin të tjerëve. Sot (dje) lexova dhe atë homolgun tim të Laçit në një shkrim shumë serioz dinjitoz. Ne nuk kemi aleanca. Partizani do të vazhdojnë rrugën i vetëm trim në luftë. Ne do të vazhdojmë luftën me forcat tona, jo siç kanë bërë këto vite të tjerët.
Nëse shohim ndeshjet e pezulluara, Partizani mund të rikthehet me tifozë kundër Skënderbeut nëse e konverton dëninim në gjobë. Ju e keni në plan këtë gjë?
Patjetër. Ne si administratë do t’i bëjmë gjërat maksimale që tifozët tanë, edhe me dhimbje dhe me harxhime, të jenë pranë skuadrës. Do të shohim Apelin, do presim dhe të shpresojmë që maskarada të mos vazhdojë deri në fund. Do të shpresojmë që Apeli të marrë në konsideratë faktet tona të pakontestueshme.
Keni pasur ndonjë kontakt me presidentin e FSHF-së p[as këtyre ngjarjeve?
Jo nuk kam pasur kontakt dhe as nuk do të kem kontakt. Ai të vazhdojë punën e vet atje kundër Partizanit, ne do të vazhdojmë punën tonë. Kontakte nuk kam përse të kem sepse ai është një mbarvajtës i futbollit, nuk është shefi ynë. Ai është një punëtor i zgjerdhur aty ku është. Ka vite aty, e ka bërë biznesin e vet këtë punë, por ne do të vazhdojmë në rrugën tonë. As presidenti e as federata nuk i bën dot shantazh Partizanit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: