TIRANE- 16 vjet të ngujuar. Kanë frikë të kalojnë pragun e derës. I zoti i shtëpisë e ka kryer dënimin për krimin që ka bërë, por burgu nuk ishte asgjë përpara tmerrit që ka përjetuar 16 vjet brenda mureve të shtëpisë. “Fiksi Fare” transmetoi për dy net me radhë fenomenin e gjakmarrjes në veri Shqipërisë, duke sjellë sot historinë një familjeje që jeton në kryeqytet.

Kjo familje qëndron e ngujuar në banesën e tyre në Bathore. Pashuk Marku me origjinë nga Puka ka vrarë një person para 10 vitesh. Në atë kohë është dënuar me 4 vite burg. Pas burgut z.Marku dhe vëllezërit e tij qëndrojnë të ngujuar.

Mes lotësh ai thotë: ‘I lutem Zotit çdo ditë të më marrë shpirtin’. Ai ka tre vajza dhe bashkëshorten. Kjo e fundit thotë se kam shumë frikë si për burrin po ashtu edhe për vajzat. Të gjitha përpjekjet për të marrë besën nga gjakësi kanë dështuar. Askush nuk ia garanton jetën jashtë mureve të shtëpisë. Tregon sesi e ka shoqëruar vajzën e vogël çdo ditë në shkollë nga frika se nuk e çonte dot vetëm, ndërkohë që dy të tjerat i martoi pa i shkolluar për shkak të këtyre problemeve. Çifti “i mbyllur” nga Puka ka vetëm një lutje “T’ju falet gjaku një ditë”.

Deputetët e Shkodrës dhe Kukësit: Fajin e ka ligji
Emisioni Fiks Fare kërkon edhe zgjidhjen për këtë problem. Deputetet , ministrat , anëtarët e komisionit të ligjeve apo ish-kryeministri Berisha pranojnë fenomenin e gjakmarrjes dhe thonë se duhet të zbatohet ligji. Deputetët e zonave problematike si Irma Kopliku, Mimoza Hajdarmataj apo Paulin Stërkaj pranojnë këtë fenomen në zonat që ato përfaqësojnë, por thonë se policia nuk ju ka dhënë të dhënat e nevojshme.

Kopliku, deputete e Shkodrës: “Jam deputete e re”
Deputetja e Shkodrës, Irma Kopliku justifikohet me faktin se është e re në këtë parlament prandaj nuk e ka ngritur ndonjëherë problemin e familjeve që janë të ngujuara në zonën e saj elektorale. Megjithatë tregon se e kanë luftuar këtë fenomen me seminare. “Unë jam njohur me këtë fenomen, edhe më parë. Këto familje kanë probleme ekonomike dhe sociale, prandaj me organizatën e gruas jemi munduar që të zhvillojmë takime me tema të veçanta për t’u afruar me gratë e këtyre familjeve”. Në fund të intervistës premton se bashkë me kolegët do të këtë ndryshime në Kodin Penal për të mbushur vakumin ligjor, që sipas saj, ka aktualisht për kërcënimin e jetës.

Paulin Sterkaj: Duhet të ndërhyhet për të parandaluar gjakmarrjen
Deputeti tjetër i Shkodrës, Paulin Stërkaj fajtor bën ligjin, moszbatimin e tij. Kur nuk funksionon ligji, ka gjakmarrje”, deklaroi ai

Deputetja e Tropojës: Nuk kam dijeni që ka familje të ngujuara
Mimoza Hajdarmataj, deputetet e Tropojës ngre supet kur e pyesin nëse ka të ngujuar në zonën e saj. Ajo ia hedh përgjegjësinë policisë së qytetit e cila nuk I ka raportuar rastet e familjeve të ngujuara . Policia nuk ka statistika, thekson ajo në intervistën e saj. Edhe pse e pranon se nuk ka diskutuar asnjëherë në parlament për gjakmarrjen, premton se do të jetë pjesë e iniciativës për të forcuar kodin penal

Berisha: Gjakmarrja? Nuk zbatohet ligji
Ish kryeministri Berisha tha se “Problemi është tek zbatuesit e ligjit pasi ato që kryejnë krime nuk marrin dënimin e duhur”. Sipas tij nuk është e domosdoshme të shkoj tek ato familje thjeshtë duhet të shkojë ligji. Ai nuk e shikon problemin tek ligji por tek zbatimi i tij. “Vriten 6 veta dhe gjenden vetëm 2 fajtorë”, tha ish-kryeministri.

Flamur Noka, deputet i Kukësit: Nuk ka të ngujuar në zonën time
Deputeti i Kukësit Flamur Noka nuk pranon që të flasë për gjakmarrjen, pasi sipas tij, ky është një problem që nuk e ka prekur zonën elektorale që ai përfaqëson. “Fiks Fare” transmetoi rastet e tre familjeve të ngujuara në qarkun e Kukësit. Por ish-ministri i Brendshëm, ngre supet përpara këtij fakti, edhe pse këto familje qëndrojnë prej vitesh të ngujuara, pasi kërcënohen me jetën e tyre.

Komisioni i Ligjeve: Ligji është, duhet të zbatohet
Për anëtarët e Komisionit të Ligjeve nuk është problemi tek forcimi i Kodit Penal për kërcënuesin, por tek zbatimi i atyre ligjeve që kemi. Sipas Arben Ristanit, ky problem duhet parë në disa sfera jo vetëm tek ligji. Ndërsa Dashamir Peza e shikon problemin tek gjykatat dhe organet e drejtësisë, sipas tij sa kohë ato të jenë të korruptuara nuk bën punë ligji./tch
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: