Sidrit Guri, futbollisti i grumbulluar për herë të parë nga kombëtarja shqiptare, ka dhënë sot një intervistë për mediat. 24-vjeçari i cili sezonin e ardhshëm do të luajë në Belgjikë deklaron se tani i duhet të punojë më shumë, pasi ky është vetëm fillimi.

“Sezoni që u mbyll shënoi një hap të madh për mua, sepse erdhi ftesa nga kombëtarja dhe më pas transferimi tek Ostende. Ishte një vit i mirë për mua, pasi tregova vlerat. Sezonin e kaluar nuk i kisha hapësirat e duhura. Duke u bazuar te shembulli im, Kukësi duhet t’iu japë më shumë hapësirë të rinjve. Unë e shfrytëzova momentin tim. Kombëtarja mund të ndikojë për mirë dhe duhet të japim maksimumin, pasi e kemi për detyrë.

Sa i takon kampionatit shqiptar, mendoj se ka rritje dhe kjo shihet edhe në Europë. Paraqitjet e Skënderbeut dhe Kukësit kanë ndikuar në këtë drejtim, me atë që kanë bërë në Kupat e Europës. Pastaj, dihet, kombëtarja është “qershia mbi tortë”. Si unë, edhe Abazaj, që u transferuam në Belgjikë, u bëmë pjesë e kombëtares. Tani duhet të bëjmë më të mirën edhe me fanellën kuqezi.

Unë jam sulmues dhe dua të luaj në sulm, por në fushë do të bëj atë që më kërkon trajneri. Duhet të ulim kokën e të punojnë më tepër dhe mos të merremi me gjëra të tjera. Duhet të jemi të përqendruar te stërvitja dhe te gjërat që na thotë trajneri.

Rënia e Vllaznisë nga Superiorja? Të them të drejtën më vjen keq. Nuk është diçka e mirë për futbollin shqiptar. Tani bie Vllaznia, vjet Tirana. Dy emra të mëdhenj. Kampionati shqiptar nuk ka bukuri pa Vllazninë dhe Tiranën”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb