KOSOVE– Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur fjalimit të presidentit serb Tomislav Nikolic në Këshillin e Sigurimit në OKB, i cili duke iu referuar rastit të ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë pas një urdhri ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia u shpreh se ai po kërcënon Serbinë me luftë. Përmes një postimi në Facebook kreu i AAK-së tha se me luftë po kërcënon Kosovën Nikolic, jo ai Serbinë.

Statusi i plotë i Ramush Haradinajt në Facebook:
Tomisllav Nikoliq po e kërcënon Kosovën me luftë, e jo Ramush Haradinaj Serbinë
Nikoliq paska kërkuar në Këshillin e Sigurimit që Bota të marrë qëndrim ndaj meje, sepse unë e paskam kërcënuar Serbinë me luftë!
Tomisllav Nikoliqi, ka qenë ai që para pak kohe, ka deklaruar se është i gatshëm që bashkë me djemtë e tij, të shkojë në Kosovë për të luftuar!
A mos paska kujtuar ky Zotnija se ne do ta presim me lule?!
E kam thënë dhe gjithmonë do ta përsëris, se kushdo që i fut duart në Kosovë, do ta marrë të njëjtën përgjigje si Milloshevici në vitin 1998-1999!
Ata le të rrijnë në vendin e tyre e ta lënë Kosovën rahat e të mos i bijnë në qafë as asaj e as mua!
Unë e kam mbrojtur vendin tim dhe gjithmonë do ta mbroj dhe këtë mund ta marrin “kërcënim me luftë” vetëm ata që janë të sëmurë si ky farë Nikoliqi.
Ai, së pari duhet të tregojë se ku janë varrezat masive me shqiptarë në Serbi, që ende i mban sekret e tu kërkojnë falje shqiptarëve për krimet e Serbisë në Kosovë, e jo të merret me retorikë boshe!

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: