PRISHTINE- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare, Robert Karem.

Në këtë takim, ku të pranishëm ishin zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiç, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, dhe një delegacion nga Departamenti i Mbrojtjes, u bisedua për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e pakursyer në të gjitha periudhat, kryeministri Haradinaj tha se prania e SHBA-së në të gjitha proceset ekonomike dhe politike është e domosdoshme për shtetin e Kosovës”, thuhet në njoftimin nga kabineti i kryeministrit.

Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare, Robert Karem, uroi kryeministrin për 10-vjetorin e pavarësisë, duke thënë se është nder të jetë pjesë e festimit të 10 vjetorit të pavarësisë, duke e konfirmuar partneritetin me Kosovën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb