TIRANE– Pas incidentit që ndodhi gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ku kryetari i Komisionit për Zgjedhjet në PD, Jemin Gjana (i caktuar në këtë detyrë nga Lulzim Basha) ka tentuar të godasë sekretaren për Organizatat Partnere në PD, Valbona Mezini, pasi kjo e fundit e ka ndërprerë, ka reaguar Anëtari i Këshillit Kombëtar, Fabian Topollaj.

Përmes një statusi në ‘Facebook’ ai kërkon të mos poshtërohet më shumë PD dhe Gjana të ketë respekt për veten.

“Ju lutem mos e poshtëroni me shume se kaq PD, Jemin ki respekt te paktën për veten”- ka shkruar ai në ‘Facebook’.

Tensionet u rritën kur Valbona Mezini akuzoi Jemin Gjanën për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve në parti, teksa ai ka humbur kontrollin dhe është përplasur verbalisht me të duke tentuar ta godasë, por është ndaluar nga deputetët e tjerë.

Mezini njihet si kritike e Bashës dhe është pjesë e firmëtarëve që kanë kërkuar shkarkimin e tij si kryetar i PD. Ndërsa Gjana ka mbajtur një pozicionim në përkrahje të Bashës, dhe ishte kryetari i komisionit të zgjedhjeve në PD. Ai është akuzuar nga kritikët e lidershipit edhe si përgjegjësi kryesor i manipulimit të rezultatit të 22 Korrikut.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: