Nga Fatmira Nikolli

Ajo shoqëri që e ndërton të gjithë marrëdhënien mbi hipokrizinë është një shoqëri që herët a vonë do të vdesë. Arben Derhemi nuk është aspak optimist mbi shoqërinë e sotme shqiptare. Shumë përngjasime shkojnë paralel me shfaqjen “Opera për tri grosh” (rishkruar nga Vaclav Havel), ku ai ka rolin e Mekit, një prej bosëve që drejtojnë një organizatë kriminale, mbarëvajtja e së cilës është në duart e një bosi tjetër krimi, një shefi policie të inkriminuar e një kuplaraje. Marrëveshjet e ndyra që bëhen para syve tanë shkundin personazhet për ta përçuar atë drejt publikut. Në qoftë e mundur. Teatri Kombëtar e risjell pjesën në skenë në datat 15, 16, 17 dhe 18 dhjetor ora 19:00 nën regjinë e Mehmet Xhelilit. Derhemi vjen në një intervistë për teatrin, shoqërinë, hipokrizinë, për kostumin e mbretit, për shoqërinë që bën sikur dhe për të ardhmen që po e pikturojmë që tani.

– E zgjodhe a të zgjodhën për rolin e Mekit në Teatrin Kombëtar?
Unë kam qenë edhe njëherë pjesë e “Opera për tri grosh” po në variantin e B.Brehtit, me regji të Ema Andreas para 15 vitesh. Meki Thikën e kam luajtur unë edhe atëherë. E dija që do vihej në TK dhe kisha pritshmëri se rolin kryesor do ta merrja unë, paçka se çfarë kishte ndodhur me mua si personazh në Teatrin Kombëtar. Regjisori pa ta arsyeshme më shumë mbarëvajtjen e shfaqjes se të bënte një rrugë kompromisi për hir të politikave apo për hir të vetë vënies në skenë. Është pjesë e vështirë, sepse ky është një personazh që pëson edhe pse është kryetar bande kriminale në Londër. Pjesa tregon se në fakt, Meki është personazhi më i bardhë i shfaqjes, si edhe veshja e tij, zgjedhur nga kostumografja Anila Zajmi.
– A jeni ju një kriminel i mirë, Meki?
Nëse ka të tillë, po. Meki respekton ndershmërinë, disa rregulla që nuk mund të shkelen, sepse shkelen rregullat e njerëzores, e asaj që lidh njerëzit me njëri-tjetrin. Në fund Meki ka një monolog: Nuk më dhimbset jeta, as nga vdekja nuk është se kam frikë. Madje jam gati të vdes. Por vetëm me një kusht: që të forcoj autoritetin e vlerave për të cilat vdes. Meki e di se njerëzit presin që as ai të mos bëjë ndryshe nga ata. Ndaj vepra është kaq bashkëkohore, sepse ne po ndërtojmë marrëdhënien tonë reciproke në Shqipëri duke mashtruar, por duke bërë politika të ndyra, marrëveshje të ndyra, që zgjasin pushtetit e secilit. Ndaj personazhi ngjan me Benin se as unë nuk e duroj dot këto lloj atmosfere e këtë lloj pisllëku që na rrethon.
– A beson Beni, si Meki te njerëzit?
Besoj, pa diskutim, se me besim jetojnë. Beni beson tek ata që ka zgjedhur vetë, jo tek ata që i serviren, por duhet të vësh kufi. – A shohim tek kjo shfaqje marrëveshjet politike, para-paszgjedhore? Po, ndaj vepra është aktuale dhe publiku e kupton dhe e thith veprën. E kupton si një gjë të veten, shqiptare. U shkrua në 1970-ën në Shqipëri, për spiunllëkun e matrapazllëkun – por është aq aktuale sa duket se Haveli e shkroi dje për Shqipërinë, edhe me idenë që thoni ju me ato lloj lojërash politike, marrëveshjesh parazgjedhore, ‘paszgjedhoret’, mundësia për të jetuar në kurriz të ndonjë vdekjeje, në kurriz të një maskarllëku, duke shtypur disa njerëz. Janë gjëra që ne duhet të na bëjnë të mendohemi. Edhe pse është e vështirë sepse këto ndodhin shpesh te ne, ne themi se herën tjetër nuk do ndodhin më, se njerëzit janë të lodhur e të mërzitur, ajo ndodh përsëri edhe madje edhe një çikë më shumë. Janë ata që kërkojnë drejtësi e po ata që e shkelin këtë.
-Në fakt, a ka mundësi zgjedhjeje? A mund të zgjedhim për më mirë, nëse marrim parasysh se as personazhi juaj nuk ka mundësi zgjedhje?
Pikërisht, vjen momenti që zgjedhja e vetme e personazhit është të vazhdojë jetën e të pranojë gjithçka, sepse njerëzit këtë duan: unë jam mirë në këto rrethana. Ai thotë në fund që do të ishte një vdekje tipike absurde. Unë do jepja jetën për diçka tek e cila vetëm unë jam në gjendje të besoj dhe asnjë tjetër. Kjo do të thotë se ne po jetojmë një moment shumë të keq për kombin tonë, sepse njerëzit po harrojnë që po bëjnë kompromis në kurriz të fëmijëve e të së ardhmes. Këto kompromise të vogla që ti mendon se nuk prishin punë, e shkatërrojnë shoqërinë, në thelb madje. Siç po shkatërrohet edhe rinia nga politika në këtë moment. Ndërsa rinia duhet ta shijojë jetën në faza të plota, këta po e lidhin me politikën që tani. Ndaj edhe mutacionet e politikanëve që dëgjojmë janë të tilla. Ngasja e njerëzve është ngasje që fillon nga pisllëku, aty ngjizet dhe krijohen mutacione gjenetike.

– A je gjetur në jetë para zgjedhjesh a kompromisesh si në rolin e Mekit? Mbase jo në ato përmasa, sepse nuk jam në botën e krimit as në atë të politikës, por jam gjendur në kuptimin e klaneve artistike, e politikave artistike, politika të dështuara që bëhen në këtë vend. Apo që trumbetohen si suksese e që janë një farsë e madhe që prapë trumbetohen. – Por, që janë mbreti lakuriq?
Po, mbreti lakuriq, siç është e gjithë jeta politike shqiptare – ne e dimë që ata gënjejnë, por vazhdojmë i dëgjojmë; ata e dinë që ne e dimë që ata po na gënjejnë – por vazhdojnë flasin. Jemi brenda një qerthulli e një qarku të mbyllur e nëse ne nuk reagojmë, ky qark do na mbysë brenda – në mos na ka mbytur.
– Në fakt, sa herë Derhemi ka folur, ka marrë drejt vetes sulmet. Rasti i fundit ishte një kritikë që i bëtë një kolegu (Leonard Bombaj)…
Të them të drejtën, edhe ai rast është një rast i çuditshëm, sepse unë e kisha si koncept, nuk e kisha me atë njeri dhe as personalisht. Unë nuk kam lidhje fare me të dhe nuk kam pse të kem gjë me të. E kisha si koncept për fëmijën, shkatërrimi i fëmijës, nga baballarët dhe nënat që duan ta bëjnë patjetër fëmijën artist.

– A është bërë Ben Derhemi kësisoj ‘delja e zezë’, pra, duke thënë shpesh ato që mendon? Unë nuk e kuptoj të jem ‘delja e zezë’, unë e kuptoj se jam një njeri që përpiqet të mos bëjë kompromise të pista. Kuptohet që nuk mund të jem një njeri i ndarë nga jeta në Shqipëri – unë nuk mund të jetoj jashtë këtij realiteti e jashtë këtyre njerëzve, sepse nuk kam ku jetoj. Duke pasur parasysh se ka gjëra që bëjnë ‘mu’, duhet t’i them. Unë nuk kam asgjë kundër individëve, por kundër fenomeneve. Këto fenomene përfaqësohen nga individë, por individët ka raste që e kuptojnë se nuk e kam me individin e ka raste që nuk e kuptojnë. Unë do vazhdoj të ngre zërin për të drejtën time e të artistëve – nuk pajtohem me nëpërkëmbjen.
– A jemi ende një shoqëri si ajo nën komunizëm, ku askush nuk flet për asgjë e ai që e bën linçohet publikisht personalisht? Dhe përtej kësaj që thoni ju – shumëkush më thotë – po ti, ç’ke që flet?
Pra, unë lëre që nuk i kuptoj, po më ikur edhe nervi që t’u them këtyre njerëzve: Pse nuk flisni ju, jo pse flas unë?! Pse nuk flisni të gjithë që të krijojmë një standard, sepse mbrojmë të drejtën tonë dhe njerëzoren. Në një vend ku hipokrizia ka nxjerrë brirët, si mund të rrisim një fëmijë? Në një vend ku tarafi apo klanet janë në koncept të ndërtimit të thelbit të jetës, si mund të jetojmë e si mund të mos e ngresh zërin?
Tashmë e vetmja gjë kemi ndryshe nga komunizmi: të ngremë zërin. Tani nuk na fusin në burg, nuk ka linçim, por është linçim ekonomik, sepse duke të mohuar qasjen në teatër a në një vend tjetër, të mohojnë mundësinë për të jetuar; të presin damarin e gjakut. Dikur të çonin në burg e të internonin familjen – sot të internon familja ty se mendon për të ardhmen.

– Për të dalë te komunizmi – një studim i OSBE-së tregon se më shumë se 50% e shqiptarëve e duan E.Hoxhën. Ku po shkon shoqëria shqiptare?
Te pjesa e fundit që kisha në skenë, monodrama “Rrno vetëm me tregu”, unë kam kërkuar një lloj katarsisi që duhet t’u ndodhë këtyre njerëzve – 50% e të cilëve duan t’u kthehet Enver Hoxha. A e kuptojnë këta njerëz se çfarë kemi hequr ne në atë sistem, sa ka rënkuar ky vend nga ai regjim? Ai ishte burg kolektiv. Bënin sikur punonin, sikur mësonin, sikur jetonin, po askush nuk punonte, as mësonte as jetonte. Bënin sikur e donin shokun Enver, po askush nuk e donte. Për aq kohë sa ka kaluar nga regjimi dhe është ky mendim, tregon se është një komb që nuk mendon.
– Apo një komb që e duron shtypjen, pushtetin, autokratin?
Eh, ju e dini anekdotën për shkollën e Harry Fultz, që u heq pjesë nga racioni i ushqimit nxënësve e askush nuk reagon. Kjo tregohet vetëm në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër – e kjo në thotë se jemi komb që madje duam dikë që të na shtypë.
-A shihni luftë kundër llumit apo shihni luftë që secili të marrë pjesën e vet nga llumi?
Perfekt. Jo vetëm që duam pjesën tonë, por ka filluar të na shijojë llumi. Ne dimë që ka njerëz që vjedhin, vrasin e kur e shohim në rrugë, u buzëqeshim – ky është kulmi i llumit. Më së paku duhet ta braktisësh atë njeri për të thënë se deri këtu arrin marrëdhënia jonë. As këtë nuk e bëjmë. Ky komb duhet të ketë një katarsis të gjerë – por kjo është e thellë, nis me shkollimin, pronën. Shkelen çdo ditë të drejtat e njeriut, po nuk ngremë zërin. Ky është llumi – e shohim, e ndjejmë, e prekim dhe kemi rënë në batak. KULTURE TAKIMI MBROJTJA E TRASHËGIMISË, KUMBARO: NJË SEKTOR ZHVILLIMI E POTENCIAL PUNËSIMI

– U fikën dritat në shfaqje të shtunën në mbrëmje. E njëjta gjë u ka ndodhur edhe me “Johan Padamin”. Keni marrë siguri për netët e tjera, apo do përshtatni sërish batutat? Atë natë kur u fikën dritat, unë po thosha: Një burrë që e lidh jetën e tij seksuale vetëm me profesionistët, herët a vonë shuhet emocionalisht. Në momentin që unë thashë “Një burrë që e lidh jetën e tij seksuale vetëm me profesionistet”, ikën dritat dhe unë shtova më pas “herët a vonë i fiken dritat…”. Batuta erdhi natyrshëm, po të paktën erdhën pa u bërë treçerek ore si te “Johan Padam dhe Amerikat”. Edhe kjo ka të bëjë me shtetin tonë, me premtimet elektorale e me shkatërrimin e këtij vendi- institucioni i rëndësishëm i artit kombëtar. Nuk e duan këtë vend, e shohin si llokëm për interesat e tyre, që nesër pasnesër të kenë mundësi të bëjnë pallat. Nuk e shohin si detyrë.
– Veç faktit që ikën dritat, në teatër shfaqja shihet me xhupa e shalle. A ka ngrohje? Ne kemi bërë prova me minus dy gradë. Nuk ndizej ngrohja pa bërtitur dikush, në fakt unë sigurisht. Kam bërë prova me xhup e kapuç.
– Ndërkaq, po bëhet teatri i ri…
Nuk është teatër. Është një han ku bëheshin maketet e hidrocentraleve. Nuk mund të bëhet Teatër Kombëtar. Nuk ka parametra, as xhepa skenikë për mizanskena, as salla aktorësh e asgjë tjetër. Duhej të kishte para një projekt për Teatrin Kombëtar. Nuk mund të thonë, do shembet ky teatër. Kush je ti që do shembësh Teatrin Kombëtar?! Paske ti guximin të shembësh një vepër që ka mbajtur gjallë shpirtin e shqiptarëve më komunizëm? Aty kanë përjetuar dashurinë e janë ndjerë njerëz brenda kësaj salle. Nuk mund të shembet kjo sallë, nuk është kaq e thjeshtë, nuk mund të perceptohet dhe të jenë të sigurt se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Teatri Kombëtar ka nevojë për projekt në këtë sipërfaqe që ka. Duhet të jetë një teatër me tri salla: 250, 350 dhe 600 e disa vendëshe – si çdo teatër normal në botë.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb