TIRANE – Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, bëri analizën e tij në lidhje me protestën e sotme të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas ish-ministrit të LSI, protesta ishte një potencë e jashtëzakonshme kundër qeverisë dhe se njerëzit ishin të mbushur me mllef.

Përsa i përket përshkallëzimit të situatës ku pati një konfrontim mes protestuesve dhe policisë, Manjani thotë se kryetari  i PD bëri mirë që tërhoqi protestuesit, pasi nuk dihej ç’mund të ndodhte, shkruan BalkanWeb

Ky zë mbështetës i LSI për Bashën erdhi edhe pse disa protestues demokratë dolën kundër liderit të tyre duke kërkuar që të vazhdonin protestën e dhunshme.

“Kemi një qeveri që vetëm bën propagandë, e tani na shfaqet si qeveri që zhduk prova. Bën të këqija dhe zhduk provat, nxjerr opozitën gënjeshtare. Kemi pasur përpjekjen e opozitës, që ka bërë një punë të lavdërueshme me thënë të drejtën. Nxorrën prova, dhe tani u finalizuan me një protestë. Ishte një pjesëmarrje shumë e mirë.  Kishte një lum njerëzish, shihej një potencë e jashtëzakonshme antiqeveritare. Kishte goxha mllef. Unë isha në mes të njerëzve që nxirrnin mllef.

Nuk mendoj se shqiptarët kanë indiferencë për çështje politike. Ata marrin pjesë në politikë në mënyrën e tyre, secili ka mendimin e vet. Marrin pjesë në zgjedhje. Ajo që e ndan opinionin publik nga e vërteta janë analistët për fat të keq.

Njerëzit u përgjigjën”

Protestë si e Kukësit apo si kjo e ditë së sotme?
Çdo protestë është e mirë, nuk është e thënë që të vriten njerëz që të quhet protestë. Ne po përjetojmë për herë të parë policinë dhe ministrinë e Brendshme të jetës së njeriut, pasi hyn në jetën e çdo njeriu, kontrollon çdo gjë. Dëmi që i sjell trafiku i drogës një shteti është shumë më i madh se një mllef i shkaktuar në ditë proteste. Kam përshtypjen se në Greqi e Francë do ishin djegur qytetet, por këtu nuk ndodh. Basha bëri mirë që i tërhoqi njerëzit dhe nuk la që të zhvillohej ndonjë skenar i padëshirueshëm.

Çfarë pjesëmarrje numerike kishte protesta sot?
për mua ska rëndësi numri. Ai Bulevard ishte plot sot, lum i njerëzve nuk përfundonte. Dielli ishte i fortë, dhe sdo rrinin aty, por mund të jenë futur edhe në hije.

Lajmëruat mosbindje civile, ndërkohë që shohim tjetër protestë. A po konfondohet populli?
padyshim ka vend për diskutim e debat. Nuk mendoj se sot është disa që duhet të kritikohet opozita. Për çdo të keqe që ndodh në vend, fajin e ka opozita. Ka një tendencë të natyrshme. Kur opozita reagon, komentohet sërish.

Ka një agresivitet pas audiopërgjimit…
Po kjo është e vërtet. PD duhet të falënderohet kjo. Ne se provonim dot më herët. Ai njeri me atë punë është marrë. Ky është lajm i mirë për Shqipërinë, pasi ekspozoi një fakt dhe nxori gënjeshtër. Jemi futur në një sistem alibish, ku vëllai ministër mbron vëllain. Këta kanë vetëm një standard, bëj vetëm trafik.

Dje Xhafaj deklaroi se nëse materiali del autentik tërhiqet, në të kundër duhet të ikë Basha.
Ai ka një vëlla trafikant. Nëse ai material, nëse Xhafaj e di që është sajesë, atëherë duhet të thotë spe e çoj vëllain në burg. Ka një përgjigje për të gjithë qytetarët.

Si i keni parë deklaratat e dëshmitarit?
Ishin shumë të guximshme. E morën e fshehën Agron Xhafajn, e fshehën në Itali. Njësoj sikur vodhën prokurorinë e Durrës.

Çfarë duhet të bëjë opozita tani që të tronditet Rama?
Fryma dhe potenca e vënë re sot tek protestuesit duhet mbajtur gjallë dhe kjo është detyrë e opozitës, forma e protestës është e ndryshme. Populli shqiptar nuk është budalla siç tenton ta banalizojë sot kryeministri. Ai popull atje nuk është babale.

 

Deklaratat e Ramës kanë qenë jerm pa një bosht, çfarë thotë një ditë nuk e thotë një ditë tjetër. Lidhur me thashethemnajat e aleancave nuk merrem me fjalët e një kryeministri që vetëm vetja i duket i mirë. Ky që thith mall, blen mall shet mall, ky është burrë shteti, të gjithë ata që e denoncojnë janë të gjithë maskarenj. Opozita e sotme duhet të shkojë drejt një koalicioni, bashkimi formal, me firmosje letrash për koalicion. Nëse opozita do jetë e përçarë nuk do të jetë aspak mirë. Kjo qeveri rrëzohet vetëm me zgjedhje.
 (e.f/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: