Media gjermane ZDF ka publikuar mbrëmjen e sotme një reportazh për situatën me refugjatët, ku shkrua se qeveria shqiptare nuk është kundër ngritjes së një kampi refugjatësh. Pjesë e artikullit të titulluar “Më shumë refugjatë në Ballkanin Perëndimor”, është edhe një intervistë e zhvilluar me zv.ministrin e Brendshëm, Julian Hodaj.

“Shqipëria ka kapacitete të mbajë deri në 600 mijë refugjatë. E ka treguar këtë edhe në të kaluarën gjatë luftës së Kosovës”, shprehet zv.ministri Hodaj në një intervistë për televizionin gjerman ZDF.

Në artikull ndërkaq flitet për propozimin e qeverisë austriake sipas së cilës zgjidhja për refugjatët që kanë vërshuar në Europë është ngritja e një kampi në një nga vendet jashtë BE. Një prej këtyre vendeve është konsideruar Shqipëria dhe sipas ZDF zyrtarët shqiptare nuk janë kundër kësaj ideje.
zdf
“Në të ashtuquajturën rrugë Ballkanike Perëndimore nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera në Austri, numri i refugjatëve po rritet përsëri. Sipas qeverise austriake në Shqipëri mund të krijohet qendër refugjatesh për gjithë BE. Edhe qeveria shqiptare duket se nuk është kundër. Ajo shpreson për mbështetje financiare dhe anëtarësim në BE”, thuhet në reportazh.

Deri tani qeveria shqiptare thotë se nuk e ka marrë zyrtarisht një propozim të tillë, por Zv.ministri i Brendshëm Hodaj thotë se vendi ynë i ka kapacitetet për të përballuar një fluks të tillë.

Kjo deklarata e parë e një zyrtari të lartë shqiptar që del në favor të hapjes së kampeve të refugjatëve nga lindja në vendin tonë.

Reportazhi i ZDF: https://www.zdf.de/nachrichten/heute-19-uhr/mehr-fluechtlinge-am-westbalkan-100.html

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb