SIRI– Dy britanikë të cilët besohet se janë pjesë e një bande famëkeqe të ISIS, janë kapur nga luftëtarët sirianë kurdë, njoftojnë zyrtarët amerikanë. Alexanda Kotey, 34 vjeç, dhe El Shafee Elsheikh, 29 vjeç, ishin dy anëtarët e fundit që kishin mbetur nga kjo bandë.

Grupi, i cili më parë përbëhej nga katër anëtarë, e kishin cilësuar atë si “The Beatles” për shkak të theksit të tyre britanik.

Zyrtarët amerikanë kanë shtuar më tej se ata kanë ekzekutuar të paktën 37 pengje perëndimorë dhe kanë torturuar shumë të tjerë.

Alexanda Kotey nga Londra ka marrë pjesën në torturën e pengjeve dhe ka shërbyer si rekrutues për ISIS. Ndërsa El Shafee Elsheikh njihet për torturën që ushtronte ndaj pengjeve teksa i merrte në pyetje duke ua futur kokën në ujë apo duke i kryqëzuar. Njëkohësisht , ai shërbente edhe si truprojë e bandës.

Sakaq, Ministria e Jashtme britanike nuk ka komentuar ende lidhur me arrestimin e dy terroristëve.

Luftëtarët sirianë sapo i kapën dy militantët në fjalë njoftuan autoritetet amerikane, por identiteti i tyre u konfirmua më pas në bazë të shenjave të gishtërinjve dhe të dhënave të tjera biometrike.

Familjet e Alexanda Kotey dhe El Shafee Elsheikh nuk ishin në dijeni të kapjes së tyre, derisa e panë në media. Sakaq, kontrolli i ISIS në Siri u reduktua me shpejtësi vitin e kaluar. Në tetor grupi terrorist humbi Rakën, të cilën e kishte vetëshpallur si kryeqytet të kalifatit të tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb