NGA ENIDA HIMAJ

PARIS- Në Paris u zhvillua konferenca e përgjithshme e UNESCO-s, takim që u mbajt për të promovuar edukimin si dhe për të ndaluar rrjedhën e ekstremizmit të dhunshëm. Teksa bota përballet me një kërcënim që nuk njeh kufij, anëtarët e UNESCO-s treguan angazhimin e tyre në përballimin e kësaj sfide, duke cilësuar dijen dhe arsimin si “armën e duhur”. Një vëmendje të madhe në këtë konferencë mori edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës, si anëtare me të drejta të plota. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka folur se si Kosova në UNESCO nuk është vetëm nevojë, por edhe e meritueshme. “Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por më se i merituar.

Kosova me historinë, popullin, monumentet dhe kulturën e saj, ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit. Të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë anëtare të UNESCO-s dhe do të ishte absurde, madje dhe qesharake, që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë edhe formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin e kulturës dhe arsimit, ndërkohë që Kosova është pjesë e saj prej lidhjes së saj organike dhe historike. Kultura nuk njeh kufij administrativë. Kultura nuk mbrohet duke përjashtuar tjetrin, përkundrazi, ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO-s”, – u shpreh Kumbaro.

Ndërkaq, nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u shpreh kundër përdorimit të UNESCO-s si mjet për të legjitimuar, siç ka thënë, “shtetin e vetëshpallur të Kosovës”.

“Me gjithë vështirësitë e jetës politike ndërkombëtare, është e rëndësishme shmangia e politizimit në aktivitetet e UNESCO-s, ku ne aktualisht jemi dëshmitarë në lidhje me përpjekjet për t’i hapur rrugën anëtarësimit të Kosovës, në shkelje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, – tha Lavrov.

Kundër deklaratave të Lavrovit dhe për Kosovën në UNESCO janë shprehur miqtë perëndimorë të shtetit të ri. Kosova ka marrë një mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për anëtarësim drejt organizatës së OKB-së, UNESCO. Anthony Blinken, zëvendësi i sekretarit të Shtetit, John Kerry, ka thënë në konferencë në Paris, se ky anëtarësim për Republikën e Kosovës është i pashmangshëm.

“Kushtetuta e UNESCO- s është e qartë në këtë çështje, është një rrugë e pamohueshme për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”. Më 21 tetor, Komiteti Ekzekutiv i UNESCO-s bëri një rekomandim për anëtarësimin e Kosovës, por votimi për të dhënë verdiktin përfundimtar do të mbahet ditën e hënë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: