TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar në mbledhjen e sotme raportin të auditit teknicien Armand Teliti “Mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, maj 2015”. Vetë Teliti ka deklaruar se nga verifikimet ka një shtim jo natyral të zgjedhësve në Durrës, duke krahasuar periudha të ndryshme. Teliti tha se janë nënshkruar kontrata qiraje nga ndërmarrja komunale e Durrësit, duke hedhur dyshimet se kjo gjë mund të jetë bërë nga kreu aktual i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili rikandidon për PS-në.

“Ka një rritje jo natyrale të numrit të zgjedhësve në mars dhe prill në Bashkinë e Durrësit. Sipas konfigurimit të ri, në bashkinë e Durrësit ka patur 3290 votuesë, mesatarisht 83 votues në muaj. Nga ekstrakti shkurt deri në mars mbi 200 votues të shtuar. Në bashkitë e tjera, situata tërësisht e ndryshme, psh. në Bashkinë e Elbasanit 162 votues të shtuar. Në Tiranë, mars-prill 1305 zgjedhës të shtuar, për një nr. zgjedhësish dy herë më të lartë se Durrësi. Në përfundim të këtij auditimi, ekziston një dyshim se ndodhemi përpara një zhvendosje të votuesve për qëllime elektorale. Ndodhemi përballë një krimi elektoral”, tha Teliti.

Teknicieni Armand Teliti i ka rekomanduar KQZ-së të marrë masa për të shpëtuar zgjedhjet në Durrës. Ai tha se janë rreth 2200 persona të shtuar për muajin prill.

“I rekomandoj KQZ-së që për zgjedhje të lira dhe të drejta të marrë masat për të shpëtuar zgjedhjet në Durrës. Janë firmosur kontrata qiraje nga Ndërmarrja Komunale Plazh, e cila është nën administrimin e Bashkisë. Kontrata me Bashkinë e Durrësit, në godina që dihet botërisht se janë të zëna nga persona të tjerë. Kontratat e sipërmarrjes nuk janë kontrata që mund të bëhet një leje banimi. Në momentin që në kontratën e sipërmarrjes thuhet që godina do ti vihet në dispozicion blerësit 15 muaj pas nënshkrimit, nuk mund të shkojë të banojë pa përfunduar. Sipas ligjit banori duhet të banojë realisht aty dhe duhet që të bëjë deklarimin 30 ditë pasi ka blerë ose ka firmosur një kontratë qiraje. 2186 persona të shtuar, kam kontrolluar 3 rajone në Durrës, nuk kam kontrolluar dy rajone. Nuk ka hyrje jashtë mizure në Manëz. Ky kontingjent i lëvizur me qëllim, nuk mendoj se kandidati ose kryetari aktual do ti lëvizte për të votuar djathtas. Kemi një fluks të jashtëzakonshëm, 7 herë më të lartë se mesatarja e dy viteve të kaluara. Nga Tirana 105 persona kanë ikur nga janar në prill. Janë shtuar 250 persona në janar, 250 në shkurt, 770 persona në mars, 1412 veta për dy javë në prill”, tha Teliti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur me 7 vota pro të regjistrojë si kandidat për kryetar bashkie në Elbasan, Qazim Sejdinin, i cili u propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015.

Gjithashtu KQZ ka vendosur të regjistrojë edhe kandidatin për Bashkinë Kamzë të Safet Gjicin, i propozuar nga ASHE dhe kandidatin për kryetar të Bashkisë Vlorë, po të propozuar nga ASHE Dritan Leli. Po kështu sot janë regjistruar në KQZ si kandidat i propozuar nga zgjedhësit për këshillin e Bashkisë Korçë, Agim Kaçani; dhe si kandidat

i propozuar nga zgjedhësit për këshillin e Bashkisë Kamëz, Gjergj Paluca.

KQZ ka vendosur të lirojë nga detyra disa anëtarë të KZAZ-ve në Durrës, Korçë e Vlorë si dhe të emërojë anëtarët e rinj.

RAPORTI I ARMAND TELITIT PËR DURRËSIN DO I PËRCILLET PROKURORISË
Raporti i Armand Telitit për Durrësin do i përcillet prokurorisë. Ai u miratua nga KQZ me 5 vota pro dhe 2 kundër. për raportin votuan kundër Gëzim Veleshnja dhe Edlira Jorgaqi. Kryetarja e KQZ LEFTERI Luzi u shpreh se raporti do i dërgohet prokurorisë siç është.

 

(m.k/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: