Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës (KQZ) ka thënë të enjten se plani i saj për të vendosur kamera vëzhguese në vendvotime gjatë votimit për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri këtë muaj, vlen për të “gjitha proceset e ardhshme” zgjedhore në vend. “Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – njoftoi papritmas më 7 prill se mbështetësit e saj nuk do të marrin pjesë në votimet për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke shkaktuar hutim në mesin e qytetarëve. Në njoftimin e saj, ajo u ankua po ashtu për vendosjen e kamerave në vendvotime ku është paraparë të mbahet votimi për zëvendësimin e kryetarëve komunalë më 21 prill.

Elezi sqaroi se vendosja e kamerave në vendvotime “është planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ”. Sipas vlerësimeve të KQZ-së, tha ai, janë evidentuar “parregullsi të cilat kanë ndikuar në integritetin, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje” gjatë proceseve të kaluara zgjedhore. “Në proceset zgjedhore 2009-2021 mesatarisht janë rinumëruar 36% e vendvotimeve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostos së zgjedhjeve dhe rënien e besimit të akterëve në administrimin e procesit zgjedhor. Elezi u zotua se do të ruhet fshehtësia e plotë e votës dhe se ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e “përkohshme”, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

Lista Serbe – e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha javën e kaluar se janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”. Ajo nuk e dha asnjë dëshmi për pretendimet e saj për rritjen enorme të listave të votuese. Por, Elezi i hodhi poshtë pretendimet e saj, duke thënë se lista e votuesve nuk përmban vetëm qytetarët me të drejtë vote që jetojnë momentalisht në një vendbanim të caktuar, por edhe qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit.

“Në votues të rinj përfshihen të gjithë ata persona që kanë arritur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill 2023 apo persona që më herët nuk kanë qenë në Listën e kaluar votuese, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil apo votues që kanë ndërruar komunën pas atyre zgjedhjeve”, shtoi ai. Në bazë të vendimit të KQZ-së për certifikimin e listës së votuesve për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, numri i qytetarëve me të drejtë vote në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e veriut është: 46,556 votues apo 1,461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para një viti, më 23 prill 2023, sipas Elezit.

Ai tha se KQZ-ja ka ndjekur rrugën kushtetuese dhe ligjore për krijimin e listës së votuesve për procesin e votimit më 21 prillit. Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës. Peticioni ishte nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet e prillit të vitit 2023.

Kjo parti kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar. Mirëpo, në mesin e tetorit të vitit 2023, ajo deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, para se të njoftonte papritmas për bojkotimin e votimit të 21 prillit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb