TIRANE- Kur tashmë ishte kthyer në praktikë komunikimi i tij javor me qytetarët në rrjetin social ‘Facebook’, kryeministri Edi Rama ka ndryshuar orarin.

Mësohet se komunikimi i tij është vendosur të mbahet ditën e nesërme në orën 8:30 të mëngjesit, ndërsa në fokus të fjalimit të tij do të jetë çështja ‘Tahiri’.

“KOMUNIKIMI I JAVËS
Komunikimi javor do të bëhet në këtë faqe nesër në mëngjes, ora 8.30, përpara Grupit Parlamentar Socialist, mbi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me deputetin Saimir Tahiri. Faleminderit!”, citohet në faqen e Ramës.

Duhet theksuar fakti se kreu i qeverisë përveç disa statuseve në rrjetet sociale ku ka mbajtur qëndrimin për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akuzohet si i përfshirë në trafikun e drogës me bandën ‘Habilaj’, nuk ka folur asnjëherë publikisht ndaj akuzave të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ka me anë të një kërkese drejtuar Kuvendit, i ka kërkuar këtij institucioni heqjen e imunitetit si dhe lejimin e arrestimit të Tahirit dhe kontroll në banesën e tij. Ndonëse Këshilli i Mandateve dhe Rregullores u mblodh për dy ditë me radhë (të premte dhe të shtunë) për të diskutuar lidhur me kërkesën e prokurorisë, qëndrimet e anëtarëve opozitë-maxhorancë ishin të ndara, duke i lënë kështu radhën Kuvendit të vendos.

Implikimi i ish-ministrit, aktualisht deputet dhe kryetar i PS për Tiranën, doli pas publikimit të përgjimeve mes trafikantëve të grupit ‘Habilajt, disa prej tyre të arrestuar në Itali, ku ata lidhnin emrin e Tahirit si favorizues dhe pjesë e këtij rrjeti.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: