Ndërtimet pa leje në Velipojë, kanë sjellë një vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako. Ai ka shkarkuar dy nënkomisarë me detyrë në Velipojë.

Përmes një njoftimi për mediat, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako bën me dije se ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale “Për kryerjen inspektimit, verifikimin e ndërtimeve pa leje në Njësinë Administrative Velipojë, si dhe masat e marra nga Policia, për vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetësave që kanë kryer ndërtime pa leje në këtë territor”.

Lidhur me zbatimin e këtij urdhri, mësohet se datë 7 korrik është kryer inspektim në Stacionin e Policisë Velipojë, Komisariati i Policisë Shkodër.

Nga verifikimet dhe veprimet e kryera rezultuan disa ndërtime pa leje, si dhe u konstatuan këto mangësi nga Policia vendore:

• Mosnjohja e situatës në lidhje me kontrollin e territorit për ndërtimet e paligjshme kryesisht në zonën e plazhit (përgjegjësi ka ndihmës specialisti i Policimit në Komunitet, specialisti për Krimet dhe Shefi i Stacionit të Policisë).

• Nuk janë zbatuar detyrat e përcaktuara në aktet e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (me përgjegjësi ngarkohet Specialisti për Krimet dhe Shefi i Stacionit të Policisë Velipojë).

Nisur nga shkeljet e konstatuara Drejtori i Policisë së Shtetit ka vendosur:

– shkarkimi nga detyra i Shefit të Stacionit të Policisë Nënkomisar E.Gj.
– pezullimi nga detyra i Specialistit për Krimet Nënkomisar D.S.j dhe ndaj tij nis hetimi disiplinor
– fillimi i ecurisë disiplinore për shkelje të rënda displinore ndaj Nd/Specialistit të Policimit në Komunitet, Inspektor P.N.

“Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë ashpër çdo paligjshmëri, përfshirë edhe masat ndaj punonjësve të saj, kur konstatohen shkelje në detyrë. E në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast që konstatojnë”, -thuhet në njoftimin e policisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb