Përfundon Gjykimi për ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpetim Gjika. Gjykatësi Laurent Fuçia denoi me 4 vite, per falsifikim dokumentash dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Por gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se, vendimi për katër vjet burg konvertohet në dy vjet shërbim prove. Gjika gjithashtu nuk ka të drejtë për 3 vjet të mos kryejë funksione publike.

Shpëtim Gjika, akuzohej për falsifikim i dokumenteve zyrtare, shpërdorim detyre, ndërtim i paligjshëm dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Për këto akuza prokurori Kuliçi, në pretencën e datës 28 qershor, kërkoi 9 vjet burg. Ardian Leka, avokati mbrojtës i Gjikës kërkoi pafajësi për ish-kryebashkiakun e Vlorës ndërsa e konsideroi akuzën si përpjekje për të përfshirë në vetë të parë ish-kreun e Bashkisë së Vlorës, duke anashkaluar sipas tij qëllimshëm padinë fillestare ngritur nga familja Osmënaj, e cila mund të trajtohej si padi civile.

Shpëtim Gjika u prangos në vitin 2016, i akuzuar për falsifikim dokumentesh në dhënien e lejeve për ndërtime të paligjshme në qytetin bregdetar por më pas gjykata vendosi hetimin dhe vijimin e procesit gjyqësor në gjendje të lirë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb