TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha e quan një vendim gjysmak, vendimin e gjykatës së Colmarit në Francë për lirimin me kusht të kreut të AAK-së, ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj.

Në një status në “Facebook” Berisha i bën thirrje autoriteteve gjyqësore franceze të heqin menjëherë kushtin e bazuar jo në të drejtën ndërkombëtare por në mandat arrestin politik të xhelatëve të Beogradit.

Berisha rikujton se Serbia ka dënuar në mungesë edhe figura të njohura të politikës evropiane, përfshirë edhe ish-presidentin francez Zhak Shirak. Ai e cilëson Serbinë një “Rusi e vogël” në Ballkan.

STATUSI I BERISHËS
Një vendim gjysmak i autoriteteve gjyqësore të Francës!
Të dashur miq, sot një gjykate franceze urdhëroi lirimin me kusht të ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit te AAK, Ramush Haradinaj të arrestuar në mënyrë absurde nga policia franceze në aeroportin e Bazel-Mulhouse mbi bazën e një urdhër arresti kryekëput politik të lëshuar vite më parë nga xhelatët e Beogradit.

Urdhër arresti i Beogradit për ndalimin e Ramush Haradinajt dhe paraqitja këto dite i kërkesës për ekstradim, dëshmon edhe një herë se ora e udhëheqjes aktuale të Beogradit për Nikoliçin ka mbetur në kohën e Sheshelit kurse Vuçiç në kohën e nismës së tij “një shtëpi për Ratkon”.

Ky akt konfirmon dhe një herë jo vetëm albanofobinë e verbër te Beogradit ndaj shqiptarëve, por dhe hipokrizinë e plotë të dyshes Nikolic-Vuçiç në procesin e dialogut me Kosovën, përpjekjen e tyre për destabilizimin e rajonit duke besuar se nëpërmjet konfliktualitetit dhe destabilizimit do mund të rigjallërojnë ëndrrën e tyre makabre të Serbisë së Madhe.

Unë i bëj thirrje autoriteteve gjyqësore franceze të heqin menjëherë kushtin e bazuar jo në të drejtën ndërkombëtare por në mandat arrestin politik të xhelatëve të Beogradit.

Ju rikujtoj me këtë rast atyre, se taksapaguesit francez paguajnë një gjykate të veçantë ndërkombëtare për verifikimin e akuzave për krime lufte në Kosovë, por edhe se, ata që kanë firmosur mandatin e arrestit politik për ish-kryeministrin e Kosovës kanë bërë të njëjtin akt në verbërinë e tyre ndaj udhëheqësve politik të vendeve anëtare të BE.

Madje nuk kanë ngurruar të dënojnë me dekada burg në mungese udhëheqësit kryesor të këtyre vendeve, përfshirë këtu dhe ish-presidentin e Francës, Zhak Shirak.

Unë i bëj thirrje Bashkimit Europian të dënojë me ashpërsi mandatin e arrestit dhe kërkesën për ekstradim për ish-kryeministrin e Kosovës dhe të rivlerësojë qëndrimin e Serbisë në procesin e negociatave me Kosovën dhe me Bashkimin Europian, jashtë çdo impresioni të lojës kongentiale me dy porta të “Rusisë se vogël” në Ballkan! sb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb