* Franca mbyll kufijtë
* Tre atentatorë belgë: Bastisje dhe 5 arrestime në Bruksel
* Ja dëshmitë e të mbijetuarve
* Identifikohet nga gishti i këputur kamikazi francez, një 20-vjeçar
* Kamikazi sirian, ishte një refugjat
* Ambasadori Tola: Situata e tensionuar, nuk kemi informacione për shtetas shqiptarë
* Alarm për atentat, ndalohet një shtetas francez në aeroportin e Londrës
* ISIS: Na fyet Profetin e na bombarduat!
* Shtëpia e Bardhë konfirmon: ISIS është përgjegjës
* “Të gjithë terroristët janë vrarë”

FRANCE- 128 të vrarë është bilanci i disa sulmeve terroriste të ndodhura në Paris mbrëmjen e së premtes. 89 të vrarë vetëm në sulmin e ndodhur në sallën e koncerteve Bataclan. Këto shifra i ka dhënë Prokurori i Parisit Francois Molins, ndërkohë që kamikazët që morën pjesë sulme raportohen të gjithë të vdekur. Po kështu, mësohet se janë 352 të plagosur.

Prokuroria franceze ka bërë me dije se 8 personat e dyshuar si autorë të masakrës së 13 nëntorit në Paris, janë vrarë. Sipas burimeve, 7 prej tyre janë vrarë nga shpërthimet vetëvrasëse, ndërsa një tjetër është vrarë nga policia.

Autoritetet në francë kanë identifikuar disa nga terroristët. Deri më tani, dihet se një nga terroristët që hodhi veten në erë me eksploziv kishte pasaportë siriane dhe kishte hyrë në Greqi në muajin tetor si refugjat lufte përmes ishullit të Lesbos. Ai është 25 vjeç dhe pasaporta e tij mban vulën e autoriteteve greke. Nga ana tjetër, autoritetet franceze kanë identifikuar edhe një 20- vjeçar francez, i cili u vra nga forcat e sigurisë. Ai rezulton me pasaportë franceze dhe është identifikuar zyrtarisht tashmë përmes shenjave të gishtërinjve. Gjithashtu, është gjetur edhe një pasaportë tjetër e një shtetasi egjiptian, i cili mendohet se është 30 vjeç, por asgjë nuk është zyrtare. Nga ana tjetër, “Le Monde”, raporton se tre prej sulmuesve mund të jenë shtetas belgë. Fakti më tronditës vjen nga një kamikaz që hodhi veten në erë pranë stadiumit “Stade de Francë”, i cili ishte vetëm 15-­vjeçar.

Qytetarët franceze janë zgjuar këtë të shtunë të paqartë për atë që ndodhi. Kush qendron pas këtyre sulmeve. Nëpër rrjetet sociale lexohen mesazhe arabisht të ISIS që i gëzohet kësaj tragjedie…por është vertet ISIS?. Presidenti francez shprehet qe, ‘Po’. Televizioni ‘Al Arabya’ shprehet se ISIS ka ndermarre pergjegjesine e sulmeve ne France.

Ora 01:05 Pas sulmeve në Paris, Belgjika ka rritur nivelin e alarmit terrorist në nivelin 3 nga 2 që ishte më parë. Rritja e nivelit të alarmit terrorist u njoftua nga kryeministri Charles Michel. Shkalla maksimale e alarmit terrorist në Belgjikë është 4.

Ora 00:34 Policia franceze ka arrestuar një të dyshuar për sulmet terrorsite në Paris. Sipas raportit të kanalit televiziv iTele një 29 vjeçar francez ishte në mesin e pengmarrësve në sallën e koncerteve Bataclan.

Ora 23:20 Ndërkohë sipas Reuters një tjetër terrorist dyshohet se ka hyrë në Evropë si refugjat, nëpërmjet Greqisë. Reuters i referohet burimeve zyrtare të qeverisë greke.

Ora 22:40- Policia franceze ka arrestuar një person të dyshuar për sulmet e së premtes në Paris. Ende nuk ka detaje mbi identitetin e personit të arrestuar, ndërsa mësohet se ai u kap në jug të Parisit. Mësohet se i arrestuari ka lidhje familjare me një prej kamikazëve që morën pjesë në sulmin në teatrin Bataclan.

Ora 22:14- Sipas autoriteteve parisiene, të shtënat e sinjalizuara në hotel Pullman në zonën e Kulëls Eiffel, ishin alarme false.

Ora 21:58- Policia franceze po evakuon zonën përreth kullës Eiffel në Paris. Lajmin e ka bërë të ditur agjencia e lajmeve Reuters.

Ora 21:55- Anti-terrorizmi përballë një hoteli në Paris. Policia anti-terror ndodhet përballë një hoteli në Paris, sipas Fox News. Nuk është ende e qartë se çfarë po ndodh në ndërtesë.

Ora 21:55- “Nuk ka asnjë informacion që kundërshton vlerësimet fillestare të bëra nga autoritetet franceze mbi përgjegjësinë e ISIS në sulmet e ndodhur në Paris”. Kështu deklaron Shtëpia e Bardhë në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku kanë marrë pjesë drejtuesit e inteligjencës amerikane.

Ora 20:49- Sipas shefit të policisë së Parisit të gjithë terroristët e përfshirë në atentatet e mbrëmshme janë vrarë nga forcat e sigurisë.

VALLS: JEMI NË LUFTË, PRESIM TË TJERA SULME. NDËRHYRJA NË SIRI DO TË VIJOJË
Ora 20:24- Pavarësisht atentateve, kryeministri francez, Manuel Valls ka deklaruar se “do të vijojmë në ditët e ardhshme operacionin tonë” në Siri. Më herët kryeministri francez ka paralajmëruar për të tjera sulme. “Jemi në luftë. Do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Dhe për këtë arsye them se duhet të presim të tjera sulme”, ka paralajmëruar Valls, i cili ka theksuar se “do të përgjigjemi goditje pas goditje për të shkatërruar ISIS”.

AMBASADORI SHQIPTAR NË FRANCË: SITUATA E TENSIONUAR, NUK KEMI INFORMACIONE PËR SHTETAS SHQIPTARË
Ora 19:48- Ambasadori shqiptar në Francë Dritan Tola tha në një lidhje telefonike për News24 se situata në kryeqytetin francez, Paris, mbetet e tensionuar. Ai deklaroi se pavarësisht se operacionet policore kanë mbaruar, qyteti ka qenë i boshatisur gjatë gjithë ditës dhe gjendja psikologjike e parisienëve mbetet e rëndë. “Veprimet policore kanë mbaruar por situata është e tensionuar. Sot paradite, rrugët ishin bosh. Kryesisht lëviznin patrullat e policisë dhe ushtrisë. Por gjatë mbrëmjes njerëzit kanë dalë. Gjendja psikologjike mbetet e rëndë. Ndjesitë dhe emocionet janë të ndryshme”, ka thënë Tola. Ai theksoi se deri në këto momente nuk ka informacione për shtetas shqiptarë të plagosur apo vrarë në sulmet e së premtes që tronditën Francën.

PROKURORI I PARISIT: JA KUSH ISHIN KAMIKAZËT
Ora 19:40– Prokurori i Parisit, Francois Molins, ka sjellë detaje të reja nga sulmet e mbrëmshme në Paris. Molins ka përshkruar konologjikisht ngjarjen që nga shpërthimi i parë në portën D të stadiumit ku po luhej ndeshja miqësore Francë-Gjermani.

“Një shpërthim ndodhi në portën D të stadiumit, dy trupa u zbuluan, një prej tyre i kamikazit. Viktima tjetër ishte një kalimtar. Pastaj ndodhi sulmi me kallashnikov në një lokal. Ka qenë një makinë e zezë, “Seat” me të cilën ka mbërritur autori. Shpërthimi i dytë ndodhi në portën H të stadiumit, ku është gjetur trupi i kamikazit të dytë me brez shpërthyes, njësoj si i të parit. Në 21:32 pati sërish sulm me të shtëna, 5 të vdekur e 8 të plagosur. 100 gëzhoja u gjetën. Në 21:36 në një tjetër restorant 19 të vdekur nga të shtënat, dhe sërish mbërritën njerëz me një makinë të zezë “Seat”. Në 21:40 në bulevardin “Volter”, pati një sulm vetëvrasës, shpërtheu një brez i njëjtë me ato të kamikazëve të stadiumit. Në 21:40 sërish një mjet i zi, ndaloi para Bataclan dhe 3 persona hapën zjarr gjatë koncertit dhe u përpoqën të merrnin peng turmën. Aty ishin viktimat më të shumta. 20 min pas mesnatës 3 terroristë u vranë, të tjerët shpërthyen eksplozivët. Kjo është ajo çka ndodhi saktësisht”, ka deklaruar prokurori i Parisit.

Më tej ai informoi se një terrorist që mori pjesë në masakrën në Bataclan u identifikua nga gishtërinjtë. “Ka lindur në 1985, kishte rekorde kriminale, i njohur nga autoritetet. Asnjëherë s’ka qenë në gjyq. Në 2010 ka qenë në listë si element radikal, por asnjëherë i lidhur me ndonjë akt terrorist. Një prej kamikazëve të stadiumit, ka lindur në 1999 në Siri, nuk njihej nga autoritetet franceze. Armët kanë qenë kallashnikovë dhe brezat shpërthyes të të njëjtit lloj. Për sa i përket automjeteve, analizat e videove dhe dëshmitë, kemi identifikuar një “Seat” të zi me targë belge. Është dhënë me qira nga një francez rezident në Belgjikë. Ka një bashkëpunim të autoriteteve franceze dhe belge.

Autoritetet belge lëshuan një deklaratë, ku njoftuan arrestimin e 3 personave. Kërkimet po vazhdojnë në Belgjikë. Të 3 të arrestuarit janë rezidentë në Belgjikë dhe nuk ishin të njohur për inteligjencën franceze. Sa i përket financimit, u mor përsipër nga shteti islamik. Autoritetet po hetojnë. Shpreh edhe njëherë gjithë keqardhjet për viktimat”, tha Molins.

RAPORTIMET NGA FRANCA, JETA PUBLIKE E PARALIZUAR
Ora 19:10- Jeta publike në Francë thuajse është paralizuar pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Loris Xhaxhiu raporton se në Paris, metrotë nuk kanë funksionuar, gjithashtu edhe shkollat. Madje edhe qytetarët nuk kanë dalë nga shtëpitë e tyre, dhe rrugët e Parisit ishin thuajse bosh gjatë ditës së sotme.

“Dy nga shokët e mi ishin në sallën e koncerteve, Bataclan. U lidha me vështirësi me ta dhe më treguan se kishin parë tmerr në sy. Kanë parë këngëtarin që largoi kitarën dhe më pas njerëzit që vraponin për t’u larguar sa më parë”, ka treguar Loris.

“Një terrorist nxori një tufë me euro nga xhepi dhe i kishte thënë shokut tim që a kanë rëndësi këto për ty. Jo i kishte thënë dhe atëherë i kishte dhënë një çakmak për ti djegur. Ndërkohë që një tjetër ka kërkuar për të hapur një çadër, si shenjë supersticioni për të ndjellë keq”, vijon rrëfimin ajo.

SULMET NË FRANCË, 5 TË ARRESTUAR NË BRUKSEL
Ora 19:00- Të paktën 5 persona janë arrestuar pas kontrolleve të policisë në lagjen Molenbeek” të Brukselit. Kontrollet dhe bastisjet vijnë pasi 3 prej atentatorëve në Francë u identifikuan si shtetas belgë.

TË HËNËN, NJË MINUTË HESHTJE NË TË GJITHË EVROPËN
Ora 17:40- Të gjithë europianët janë ftuar për t’u bashkuar në një minutë heshtje në kujtim të viktimave të atentatit në Paris, të hënën në mesditë. Kështu deklaruan liderët e 28 vendeve të Bashkimit Evropian në një deklaratë të përbashkët të jashtëzakonshme.

KAMIKAZI SIRIAN, ISHTE NJË REFUGJAT
Ora 17:30- Pasaporta e gjetur përkrah një prej kamikazëve të masakrës së Parisit është identifikuar se i përket një refugjati sirian, të regjistruar në Lesbo më 3 tetor. Këtë gjë e deklaroi zëvendësministri i brendshëm greke, Nikolaos Toskas, raporton TV grek, Antenna news.

ALARM PËR ATENTAT NË AEROPORTIN E LONDRËS, NDALOHET NJË PERSON
Ora 17:20- Një shtetas francez, 41-vjeçar është ndaluar nga policia britanike në aeroportin londinez të Gatwick. Aeroporti ishte evakuuar më parë për shkak të masave paraprake dhe për shkak të një pakoje të dyshimtë. BBC i referohet hetuesve duke konfirmuar se burri që është ndaluar nuk ka pasur eksploziv, por kishte me vete një objekt që i ngjante një arme zjarri.

TRE ATENTATORË BELGË: BASTISJE DHE NJË ARRESTIM NË BRUKSEL
Ora 17:11- Tre nga atentatorët e Parisit, janë belgë dhe vijnë nga lagjja “Molenbeek” e Brukselit, vend nga i cili ishin edhe disa nga terroristët e arrestuar në janar në Belgjikë, shkruan gazeta belge Dh online. Ndërkohë që po vijojnë bastisjet dhe kontrollet në këtë lagje, një person është arrestuar tashmë, shkruajnë mediat belge.
Bruksel, atentatoret

KËRCËNIMET: AIR FRANCE ANULON FLUTURIMET NGA AMSTERDAMI
Ora 16:02- Fluturimi AF1741 i Air France është detyruar të anulojë nisjen nga aeroporti i Amsterdamit, pas një kërcënimi specifik. Këtë gjë e konfirmojnë faqet e monitorimit të trafikut ajror, sipas të cilëve udhëtarët u zbritën nga avioni, i cili kishte si destinacion Parisin.

IDENTIFIKOHET KAMIKAZI FRANCEZ, NJË 20-VJEÇAR
Ora 15:40- Identifikohet kamikazi francez që mori pjesë në sulmet e së premtes mbrëma në Paris, sulme që shkaktuan 128 viktima. Sipas mediave ndërkombëtare, kamikazi është një 20-vjeçar, personazh i njohur për shërbimet franceze.

Kamikazi është identifikuar nga gjurmët e një gishti të këputur. Ishte i njohur për shërbimet e sigurisë dhe i skeduar për afërsinë e tij me ambientet islamike më radikale dhe që konsideroheshin si të rrezikshme. Kamikazi, me sa raportojnë mediat franceze, kishte lindur në periferi të Parisit, në Courcouronnes.

HIPOTEZAT, NJË GRUA NË KRYE TË SULMIT NË BATACLAN
Ora 15:18- Disa dëshmitarë të masakrës në sallën e koncerteve Bataclan, kanë deklaruar se kanë parë një grua që kishte komandën e 4 terroristëve që merrnin pjesë në sulm. Por ky version nuk është konfirmuar ende nga autoritetet franceze.

ISIS MERR PERGJEGJESINE: FRANCA NUK DO GJEJE PAQE!
Shteti Islamik (ISIS) ka marrë përgjegjësinë e sulmeve të mbrëmshme në Paris, nga të cilat humbën jetën 128 njerëz, shkruan Reuters, ndërsa kërcënon sërish se nuk do të ndalin sulmet terroriste. Sipas “Al Arabiya”, video nuk ka një datë, por militantët kërcënojnë se nuk do të ketë paqe.

“Franca nuk do të jetojë në paqe, për sa kohë sulmet vazhdojnë”, shprehen militantët e ISIS.

Kjo deklaratë përbën edhe marrjen e përgjegjësisë jo të drejtpërdrejtë nga ana e ISIS-it për atentatet e Parisit.

Në këtë video, që sipas ”Al Arabiya”-s është publikuar nga qendra mediatike ”Al Hayat”, krahu mediatik i ISIS-it, një luftëtar i grupit fton myslimanët francezë për fillimin e sulmeve të reja.

“Tetë vëllezër që kishin me vete breza eksplozivi dhe armë ofensive, kishin si objektiv zona të përzgjedhura me shumë kujdes në zemër të Parisit”, sipas komunikatës së ISIS-it.
Grupi ekstremist ka thënë se ato janë përgjigje për fyerjet ndaj profetit të Islamit dhe për sulmet ajrore në “territorin e Shtetit Islamik”.

Nëpërmes një komunikate zyrtare, grupi militant i ISIS-it ka thënë se ishin sulme vetëvrasëse me bomba të lidhura në trup dhe armë automatike, të organizuara në disa pjesë të qytetit, që janë sulmuar me kujdes.

HOLLANDE SHPALL GJENDJEN E JASHTEZAKONSHME
Presidenti francez François Hollande ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, si dhe ka mbyllur kufijtë e vendit.

Ndërkaq, kryeministri Manuel Valls dhe ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve arrijnë në Pallatin Elysee për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit te Mbrojtjes i kryesuar nga Francois Hollande.

Franca njofton se të gjitha ngjarjet sportive të planifikuar këtëfundjavë në Ile­de­France janë pezulluar. Vendimi erdhi pas takimit te kryetarëve te federatave të sporteve dhe drejtorëve teknikë kombëtare.

Autoritetet franceze i kanë kërkuar qytetarëve dhe turistë të mos dalin nga shtëpitë e tyre apo hotelet ku janë akomoduar.

Rreth 1500 efektivë janë mobilizuar në Paris në ruajtje të institucioneve kryesore. Ndërkohë shkollat, kopshtet dhe universitetet janë të gjitha të mbyllura.

Kontrolle të rrepta për gjithë ata që janë në lëvizje, përfshirë këtu edhe të të gjitha bagazheve.
Mbrëmë Holandë ka dale ne një konference për shtyp rreth orës 23.45 minuta ku i ka bere thirrje qytetareve qe te qëndrojnë te bashkuar pas këtij sulmi terrorist qe goditi vendin.

Ai beri te ditur se Franca ka vendosur te mbylle te gjithë kufijtë e saj deri ne arrestimin e terroristeve.

“Ka dhjetëra e dhjetëra të vdekur, dhe shumë të plagosur. Kemi shpallur gjendje e emergjencës në të gjithë territorin, si hap të parë. Hapi i dytë është mbyllja e kufijve, për t’u siguruar që një gjë e tillë të mos ndodhë më dhe që terroristët të mos kenë mundësi të largohen”, tha Hollande. Nëse nuk kapen terroristet do te mbaj përgjegjësitë e mia”, deklaroi Holande.

MEDIAT E HUAJA: IDENTIFIKOHET NJË ATENTATOR TJETËR, ËSHTË FRANCEZ
Mediat e huaja raportojnë se një tjetër autor i sulmit në Paris është identifikuar ditën e sotme. Ai është një shtetas francez, dhe policia është vënë në ndjekje të tij. Sipas mediave, policia është vënë në ndjekje të një makine me 4 persona të armatosur.

BASHKËPUNËTORI I ATENTATORËVE U ARRESTUA NË MYNIH. GJERMANIA NJOFTOI FRANCËN PËR SULMET
Një nga bashkëpunëtorët e së paku tetë atentatorëve të Parisit ka qenë arrestuar një javë më parë në Gjermani.
Mediat gjermane raportojnë se ai është nga Mali i Zi, 51­vjecar dhe u arrestua në autostradën e Myniut, më 5 nëntor.
Sipas ‘Salzburg24.at’ pas kontrollit në automjetin e tij policia gjeti një arsenal armësh, pistoletë, revole, mitrolozë dhe një kg eksploziv. Pas arrestimit, theksohet se autoritet bavareze kanë njoftuar në detaje autoritetet franceze për një sulm të mundshëm. Kjo, pasi nga dokumentet që iu sekuestruan të dyshuarit, zbuluan se malazezi i arrestuar kishte planifikuar udhëtimin për në Paris.

lajmi

Ndërsa një tjetër person është arrestuar në Francë, pasi është dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje.
bashkepunetorikamikaz

VIDEO GJATE NDERHYRJES SE POLICISE NE KONCERTIN NE BATACLAN
Ndërkohë këto video tregojnë ndërhyrjen e policisë në sallën e koncerteve Bataclan, aty ku ndodhi edhe masakra kryesore me mbi 80 viktima.
Më shumë se një mijë veta po merrnin pjesë në koncertin e një grupi muzikor amerikan në sallën Bataclan. Një numër i pjesëmarrësve arritën të ikin gjatë të shtënave.

HOLLANDE: ISIS-I FSHIHET PRAPA SULMEVE NË PARIS
Presidenti i Francës, Francois Hollande ka thënë se Shteti Islamik është prapa sulmeve në Paris, të cilat i ka quajtur “akt të luftës”.

Hollande ka thënë se sulmet ishin të planifikuara dhe të organizuara jashtë, por me ndihmën nga brenda Francës.

“Do ta mbrojmë vendin tonë dhe qytetarët tanë. I bëj thirrje popullit të jetë i bashkuar, pasi Franca do të triumfojë mbi barbarizmin. Sulmet ishin të planifikuara të organizuara nga jashtë. Shteti Islamik është fajtor për sulmet terroriste. Sulmet janë “akt burracakësh” nga Shteti Islamik”, u shpreh presidenti Hollande në një deklaratë për mediat.

Ai gjithashtu shpalli tre ditë zie kombëtare.

SI U LIRUAN PENGJET E TERRORISTËVE NË PARIS
Një operacion i shpejte ka shpëtuar pengjet e mbrëmshme në Paris. Ndërkohë në videon më poshtë një gazetar i “Le Monde” ka mundur të xhirojë çastin e arratisjes së disa spektatorëve nga salla e koncerteve të Parisit. Ata arritën t’i shpëtonit pengmarrjes dhe sulmit që shkaktoi mbi 70 viktima vetëm në këtë sallë.


Images de la fusillade au Bataclan by lemondefr

RRËFIMI I TË MBIJETUARIT NGA TERRORI NË PARIS: TELEFONI MË SHPËTOI JETËN
Ky francez do t’i jetë pafund mirënjohës telefonit të tij, që i shpëtoi jetën gjatë terrorit në Paris. Mund të duket e çuditshme, por e vërtetë.

Sylvestre tregon se ai ishte jashtë Stade de France, kur dëgjoi shpërthimin gjatë ndeshjes mes Francës dhe Gjermanisë.

Ai thotë se ishte “Samsung-u” i tij qe i shpëtoi kokën, pasi e përdori atë për t’u mbrojtur. “Nuk do te isha gjallë sot sikur të mos kisha përdorur telefonin për mbrojtje”, thotë ai.

“Shiko këtu, ky është telefoni im që shpëtoi jetën time. Përndryshe koka ime do kishte shpërthyer”, vijon ai.

Në fakt gjurma e sulmit duket edhe në ekranin e telefonit që është i copëtuar.
imbijetruari

DËSHMITARI: SI E PASHË NJËRIN NGA ATENTATORËT. TË SHTËNAT, NGA NJË PROFESIONIST
“Ne ishim rreth 20 metra larg nga kafeneja ky dëgjuam të shtënat, unë pashë përreth dhe pashe një njeri, të gjatë rreth 185 cm, dhe nga të pozita që po qëndronte ishte e qartë se ai ishte duke sulmuar”.

Një dëshmitar që ka parë një prej sulmeve të mbrëmshme në Paris, është rrëfyer për the Guardian për gjithçka që kishte përjetuar.
Psikoterapisti Mark Colclough, një shtetas britaniko­danez, ishte duke pirë kafe së bashku me një koleg të tij në Rue de la Fontine, kur një person i armatosur sulmoi një kafene.
Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e këtij dëshmitari për natën e përgjakshme në Paris, transmeton Klan Kosova.

“Ne ishim rreth 20 metra larg nga kafeneja ky dëgjuam të shtënat, unë shikova përreth dhe e pash një njeri, të gjatë rreth 185 cm, dhe nga të pozita që po qëndronte ishte e qartë se ai ishte duke sulmuar”.

“Ai ishte në një pozicion ku këmbën e djathë e kishte përpara kurse të majtën prapa, ishte duke e mbajtur një armë automatike të gjatë dhe pashë që kishte edhe një revistë nën të”.
“Gjithçka që kishte të veshur ishte e ngushtë, madje edhe çizmet ishin të shtrënguara dhe pantallonat e bluza ishin të ngushtë, ai nuk kishte ndonjë zinxhirë apo rrip. Gjithçka që kishte veshur ishte ngjyrë e zezë”.
“Ai shtiu me breshëri për tre ose katër herë”.

“Këto të shtëna ishin plotësisht të vetëdijshme dhe të bëra nga një profesionist”.
“Ai vrau rreth tre apo katër persona që ishin të ulur na karriget para kafenesë. Ne pamë që ata u qëlluan, sepse ranë nga karriget e tyre”.

“Më pas ai hyre brenda kafenesë. Po rrotullohej djathtas e majtas duke shtënë.
“Ne dëgjuam rreth 15 ose 20 të shtëna, e më pas gjithçka ishte qetë”.

DËSHMIA: NA NDIHMONI! PO NA VRASIN NJË NGA NJË
“Jam akoma brenda në Bataklan, jam i plagosur rëndë, ju lutem më ndihmoni. Jemi në katin e parë.”, thuhet në dëshminë e njërit prej të plagosurve pas atentatit në teatrin Bataklan.

Njëzet minuta më vonë i mbijetuari Benjamin Cazenoves, ka shkruar në profilin e tij në rrjetin social se është akoma gjallë. “Kam vetëm disa plagë. Ka kufoma gjithandej. Po na vrasin një nga një”.

Sipas mediave franceze, aty ku mbahen pengjet në Bataklan janë dëgjuar rreth pesë shpërthime. Ndërsa dëshmi në media të ndryshme thonë se të shtëna të tjera janë dëgjuar në teatër.

MEDIAT E HUAJA PER SULMET NE FRANCE
Mediat e huaja raportojnë për bilanc të ndryshëm viktimash, që sigurisht i ka kaluar 120. “Le monde” raportoi mëngjesin e sotëm se numri i viktimave është 120. Mediat italiane raportojnë për mbi 140 viktima. CNN zyrtarisht raporton për se paku 158 viktima. “Le figaro” raporton zyrtarisht për 120 viktima dhe mbi 200 të plagosur. “Le Parisien” raporton gjithashtu për një bilanc 127 viktimash, sipas raportimit të mëngjesit të sotëm.

Televizioni amerikan “CNN”, ka shkruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës se sipas zyrtarëve francezë, nga sulmet terroriste në Paris kanë mbetur të vrarë 153 persona.


(m.k/el.sp/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: