Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua të premten me presidentin kinez Xi Jinping dhe zyrtarë të tjerë të lartë kinezë, duke theksuar rëndësinë e “menaxhimit me përgjegjësi” të dallimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ndërsa të dy palët shkëmbyen replika për një sërë çështjesh të diskutueshme dypalëshe, rajonale dhe globale.

Bisedimet mes dy palëve janë rigjallëruar muajt e fundit, edhe pse dallimet janë rritur.

Megjithë qëndrimet e ndryshme për çështje madhore, Sekretari Blinken dhe Presidenti Xi theksuan nevojën e bashkëpunimit.

“Presidenti Biden më kërkoi të kthehesha këtu për të ndjekur axhendën e rëndësishme drejt thellimit të bashkëpunimit si dhe për të menaxhuar me përgjegjësi dallimet që kemi. Mendoj se ka pasur përparim në bashkëpunime të ndryshme, veçanërisht në atë të komunikimit mes ushtrive, lufta kundër narkotikëve, e ardhmja e inteligjencës artificiale dhe ne do të vazhdojmë të forcojmë lidhjet mes njerëzve tanë, në mënyrë që të shmangim çdo keqkuptim”, tha ai.

Presidenti Xi tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të marrin masa ndëshkuese ndaj ekonomisë së Kinës.

“Bota po përballet me ndryshime dhe zhvillime të jashtëzakonshme. Situata globale po ndryshon vazhdimisht. Ndërsa dialogu Kinë-SHBA vazhdon të rritet, menaxhimi i dallimeve dhe promovimi i bashkëpunimit, nuk është vetëm një aspiratë e dy popujve tanë, por diçka që pjesa tjetër e botës e pret. Bota është e madhe, ka vend si për zhvillimin e SHBA-së edhe Kinës”, tha ai.

Sekretari Blinken ngriti shqetësimin e mbështetjes që Kina i jep Rusisë për luftën e saj në Ukrainë. Ai vuri në dukje se Kina është furnizuesja kryesore e disa pjesëve mikroelektronike që përdor Rusia për të zgjeruar bazën e saj industriale të mbrojtjes.

“Një bazë industriale mbrojtëse që po prodhon raketa, drone, tanke dhe armë të tjera që presidenti Putin po përdor për të pushtuar një vend sovran, për të shkatërruar rrjetin e tij energjetik dhe infrastrukturën civile për të vrarë fëmijë, gra dhe burra të pafajshëm. Rusia do ta kishte të vështirë të përballonte sulmin e saj në Ukrainë, pa mbështetjen e Kinës”, tha ai.

Sekretari Blinken tha se Kina ka treguar në të kaluarën kur bëhet fjalë për Rusinë dhe Ukrainën, se mund të ndërmarrë veprime pozitive dhe e nxiti Pekinin ta bëjë një gjë të tillë përsëri.

Në takimet e tij zoti Blinken bëri gjithashtu thirrje që Pekini të përdorë ndikimin e tij me Iranin për të mos zgjeruar konfliktin në Lindjen e Mesme dhe me Phenianin, për ta bindur që t’i rikthehet dialogut.

Bisedimet u përqendruan edhe në çështje të tjera, përfshirë Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore si edhe të drejtat e njeriut dhe prodhimin e opioideve./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb