Nga Lushnja: Trëndafile VISHA
Ora shënon 10:00. Qyteti i Lushnjës është i heshtur. I heshtur si varri i sapombyllur i Jurger Hoxhës dhe si varri i sapohapur i Zamir Latifit, që pret të mbyllet pas një ore. Dy të rinjve që u bënë shoshë nga plumbat në atentatin e pasdites së 11 tetorit. Por, edhe si një varr stërmadh i hapur shumë vite më parë dhe nuk dihet se kur do të mbyllet… Rrugët ngjajnë të paqta dhe njerëzit të qetë. Vështrimet e tyre përthyhen, ulen poshtë sapo ndeshen me të panjohurit, ndërsa duket sikur pëshpëritin nën zë “dhe jeta vazhdon”… Por, kontakti i parë është krejt i rrejshëm. Nëpër lagje dhe nëpër rrugica, “fshihet” një makth i madh. Çuditërisht, kur pyet për X apo Y person, askush nuk të kthen përgjigje. Se askush nuk e “njeh” njëri-tjetrin.

Ndalim hapim tek lokali bar-kafe ku para tij, në një tabelë shkruhet: “Bulevardi e Palmave”. Në rrugën mes lokalit (ndërtesë 3-katëshe ku duken vrimat e plumbave) dhe tabelës janë ende të dukshme gjurmët e gjakut që u derdh në masakrën e së mërkurës. Dhe shiriti i verdhë i policisë, është ende aty. Dhe një tufë lule e tharë nga dielli, që ditët e fundit ka përvëluar shumë. Dera e lokalit është e kyçur. Mbi xham është shkruar numri 0699… Mundohemi të shohim nga xhami përbrenda. Vëmë re banakun, karriget, tavolinat. Dhe diku përsipër në një mbajtëse, Kuranin.

Librin e shenjtë, të cilin Marjus Xhepexhiu që i mbijetoi sulmit, i fshinte pluhurat përditë. Në bri të lokalit, një dyqan ku para tij janë vendosur arka me fruta-perime. Pronarin e pyesim për ngjarjen me dy të vrarë dhe dy të plagosur. “Nuk di asgjë. S’kam parë asgjë. Mos pyesni kot. Unë isha në bodrum kur dëgjova krismat. Kaq mund t’ju them. – Nuk dole jashtë për të parë pasi pushuan breshëritë e kallashnikovëve – e pyesim ne. – Nuk jam aq trim sa të marr një kokërr plumbi nga kurioziteti”, thotë prerazi i moshuari. Më pas, një përgjigje të tillë do e dëgjonim pothuajse nga të gjithë. Ka lidhje ngjarja me Aldo Baren apo me drogën?! Kjo, një pyetje pa përgjigje, por që flet shumë. Askush nuk guxon ta zërë në gojë ish-kapon e bandës së Lushnjës. Edhe pse kanë kaluar afro dy dekada që Aldo Bare nuk ka shkelur në qytetin e tij, emri i tij tremb, tmerrësisht tremb. Duket se masakra e ka gjunjëzuar Lushnjën. Dhe ende nuk dihet nëse ngjarja mori shkas nga hakmarrja mes bandave apo lufta për kontrollin e territoreve të drogës.
Lajmin e plote mund ta lexoni sot ne GSH.al:http://www.gsh.al/2017/10/14/lushnje-qyteti-gjunjezuar-nga-masakra-ku-askush-nuk-e-njeh-njeri-tjetrin-dy-dekada-pa-shkelur-ne-shtepine-tij-aldo-bare-ndjell-ende-frike/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: