TIRANË– Shqiptari Bes Kondi është cilësuar nga mediat kanadeze si një prej heronjve të masakrës në Kanada, ku u vranë 10 persona dhe 15 të tjerë mbetën të plagosur, pasi një furgon hyri mes turmës së njerëzve.

Shqiptari që jeton dhe punon në Kanada prej vitesh ka folur ekskluzivisht për News24 ku ka treguar gjithë ngjarjen dhe tmerrin e atyre momenteve. Ai tha se ka vrapuar sapo ka parë se çfarë po ndodhte duke iu ardhur në ndihmë të plagosurve. “Gjaku ishte ujëvarë”, thotë ai.

Ju e patë furgonin kur përplasi qytetaret?

Momentin kur e përplasi jo, por ai sapo përplasi qytetaret bëri një rrugë rreth 2.2 km derisa filloi dhe mbaroi kur u kap nga policia. Në atë moment kur filloi t’u bjerë njerëzve jo, por kur ishte në zonën time unë vrapova për të dhënë ndihmen.

Çfarë bëtë ju, pasi jeni cilësuar si hero nga mediat kanadeze?

Heronjtë e vërtetë ishin policia, zjarrfikëset dhe ambulancat që nuk lejuan që të kishte panik. Unë bëra pjesën time. Unë po ndihmoja pasi në atë zonë kur filloi furgoni të godiste njerëzit, personi im po mbante frymën dhe ishte shumë i vrarë. Në krahun tim ishte një grua më e moshuar që shihja gjakun që dukej si ujëvarë. S’di çfarë fjalë tjetër të them… Unë iu drejtova asaj për ndihmë.

A e morët parasysh se mund të rrezikonit duke iu ardhur në ndihmë të plagosurve?

Nuk më kaloi në mendje kjo pjesë dhe nuk e dija çfarë po ndodhte në ato momente. Thjesht pashë majtas dhe djathtas dhe pashë njerëz duke bërtitur dhe që kërkonin ndihmë, por nuk më kaloi në mendje se vete mund të isha vetë në rrezik.

A e patë agresorin?

Jo nuk e pashë.

Ju falënderojmë për këtë lidhje. Ju jeni një hero vërtet dhe ju falënderojmë në emër të të gjithë shqiptarëve.

Faleminderit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb