LISBONE- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës* të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), e cila u zhvillua në Lisbonë, Portugali, ditën e sotme.

Ky takim mblodhi së bashku guvernatorët dhe ministrat e Financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence, për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe ekonomive përkatëse.

Përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) prezantuan perspektivat e këtyre dy institucioneve lidhur me rishikimin e kuotave dhe rritjen e kapitalit, si dhe prioritetet për sigurimin e rritjes së qëndrueshme, afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse të vendeve. Një tjetër temë e trajtuar në këtë takim ishte menaxhimi i rrezikut dhe mekanizmat e sigurimit nga ndryshimi i klimës dhe efektet makroekonomike të goditjeve klimaterike.

Në këtë mbledhje, nga Shqipëria, pjesëmarrës ishin përfaqësues të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të kryesuar përkatësisht nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Erjon Luçi.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim dhe shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur për të përshpejtuar aktivitetin e ardhshëm ekonomik të vendit.

Për sa i përket sektorit bankar, Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme dhe stimulimi i përdorimit të monedhës kombëtare kanë qenë angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, të shoqëruara me plane veprimi, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore.

Guvernatori Sejko paraqiti pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi temat kryesore të diskutimit. Në lidhje me to, ai theksoi se Banka e Shqipërisë mirëpret rishikimet periodike të metodologjisë dhe strukturës së shpërndarjes së kuotave, por theksoi nevojën për kujdesin që duhet bërë në mënyrë që këto rishikime të mos cenojnë fokusin e punës dhe angazhimin e institucionit për përmbushjen e objektivave të tij.

Gjithashtu, ai theksoi se FMN-ja duhet të vazhdojë të mbetet e angazhuar, madje të forcojë rolin e saj, në promovimin e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë, në shmangien e zhbalancimeve brenda dhe midis ekonomive të ndryshme, si dhe në drejtim të forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar. Në këtë kontekst, Guvernatori Sejko theksoi se FMN-ja vijon të mbetet partneri kryesor i vendeve në zhvillim për shmangien e efekteve negative të goditjeve potenciale, me origjinë të brendshme apo të jashtme.

*Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej muajit tetor të vitit 1991 dhe bën pjesë në të njëjtën konstituencë me Greqinë, Italinë, Maltën, Portugalinë dhe San Marinon. Konstituenca drejtohet nga Alessandro Leipold, i cili është dhe Drejtori Ekzekutiv që përfaqëson këto vende në Bordin Ekzekutiv të FMN-së

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb