“Qeveria e ardhshme mund të rrëzohet nga Beogradi në rast nevoje. Një koalicion i jashtëzakonshëm mes ish-ushtarëve të UÇK, një miliarder shqiptaro-zviceran dhe një parti minoritare serbe duhet të nxjerrë jashtë krize shtetin e Kosovës”, shkruan fillimisht prestigjiozja zvicerane “NZZ” me autor Andreas Ernst.

Pas tre muajsh përpjekje Kosova ka një shumicë qeveritare, por bashkëpunimi duket aventurier: një koalicion mes ish-ushtarëve të UÇK nën udhëheqjen e Ramush Haradinaj i lidhur me miliarderin shqiptaro-zviceran Behgjet Pacolli dhe partinë minoritare serbe të kontrolluar nga Beogradi. Qeveria u krijua pasi atë e mbështeti Behgjet Pacolli dhe pas dhënies dritë jeshile listës serbe për të marrë pjesë në qeveri. Kryeparlamentari u zgjodh të enjten, por kryeministri nuk do e ketë të lehtë lojën. Në parlamentin me 120 vende ai kontrollon vetëm 63 deputetë, përcjell botasot.info.

Sipas autorit Andreas Ernst, partia më e fuqishme nga radhët e ish-UÇK-së, PDK, në 18 vitet e fundit (që nga përfundimi i luftës) ka mbuluar Kosovën me një rrjet paralizues të varësive. Ky rrjet tani po zgjerohet. Fitues janë ata që falë lojalitetit nxjerrin ndonjë dobi të vogël apo të madhe, humbës të gjithë të tjerët që duhet të jetojnë në një sistem, i cili nuk shpërblen punën, por lidhjet.

Lëvizja Vetëvendosje ishte angazhuar për shpërbërjen e këtij sistemi dhe me një axhendë të diferencuar ekonomike ishte bërë partia e dytë për nga fuqia. Ajo do ta vazhdojë politikën e saj militante opozitare. Haradinaj, i cili ka qenë njëherë gjatë 100 ditëve kryeministër, është ballafaquar me akuza për krime të luftës. Gazeta shkruan se për shkak të frikësimit të dokumentuar dhe zhdukjes së paqartë të dëshmitarëve procesi kundër Haradinaj u përsërit, por edhe kësaj radhe përfundoi me lirimin e tij.

Veton Surroi thekson se qeveria e ardhshme me këtë konstelacion me Beogradin është drejtpërdrejt e varur nga Serbia, e cila do të jetë në gjendje ta rrëzojë qeverinë në rast nevoje.

Akuza të reja nga Gjykata Speciale
Me këtë shumicë të ngushtë është mjaft vështirë të ketë koncesione me Serbinë dhe në fund përsëri është në lojë një “kartë e papritur”. Në vjeshtë Gjykata Speciale e Hagës do ngrejë aktakuzat e para për krime gjatë luftës kundër kaderit të UÇK. Ka shumë pak eksponentë të koalicionit të komandantëve, të cilët janë të sigurt, që nuk janë të adresuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb