Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u tha emigrantëve shqiptarë në Athinë se qeverisja e sotme po i kthen shqiptarët në viktima të krimit e korrupsionit. Në një takim me shqiptarët që jetojnë në Greqi, kreu i Partisë Republikane akuzoi qeverinë shqiptare se me pazaret e saj të drogës dhe me injorancë në qeverisje e la vendin jashtë BE-së.

“E vërteta është se të ardhmen tonë s’mund ta lëmë peng të asnjë politikani, të asnjë qeverie, për më tepër të Ramës dhe Metës, të mazhorancës që ka marrë peng Shqipërinë. Që shan pa fund, fyen pa fund. Që ka sjellë pasigurinë, krimin, drogën, kanabisin, një injorancë në qeverisje që bën ato veprime, korrupsionin e lartë, duke na lënë jashtë dyerve të Bashkimit Europian”, – u shpreh Mediu.

Kreu republikan u kërkoi emigranteve të bëhen pjesë e proceseve politike në Shqipëri dhe të marrin pjesë në zgjedhje për të larguar një qeveri që ai e cilësoi të papërgjegjshme për shqiptarët.

“Po çfarë i mungon Shqipërisë për të ecur përpara? Mendoj se i mungon një qeveri e përgjegjshme. Qeverisja e sotme në Shqipëri, për fat të keq, në gjykimin tim, nuk është një qeveri që u shërben interesave të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por përkundrazi, ajo po i kthen shqiptarët në viktima të krimit dhe korrupsionit, varfërisë dhe pasigurisë”, – tha Mediu.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb