Tiranë, 12 Dhjetor – Në një takim të gjerë me drejtuesit e shërbimeve mjekësore, drejtues të institucioneve shëndetësore, përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë si dhe me prezencën e deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prezantoi strategjinë e Shëndetësisë 2020, në ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal.

“Kemi hapur dritare të reja në shëndetësi, po zhvillojmë partneritete, po rrisim numrin e paketave mjekësore, duke rritur dhe financimin publik. Qëllimi ynë i pandryshueshëm është që: Asnjë qytetar të mos bjerë në varfëri, për shkak të shpenzimeve për kujdesin shëndetësor”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu në fjalën e saj.

Lidhur me investimet e pritshme, Ministrja Manastirliu u shpreh: “Nga viti 2018, ne do te fillojme ne 4 vite programin e rehabilitimit te 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin! Do lehtësojme aksesin dhe do sigurojmë kujdes cilësor ne filtrin e parë te sistemit, që është kujdesi parësor! Deri në vitin 2021, do të kemi transformuar 11 spitalet rajonale duke i akredituar dhe rankuar, bazuar në cilësinë e shërbimeve. Ne tre vitet e ardhshme, do te transformojme spitalet bashkiake në qendra 24 orëshe të urgjencës dhe shërbimeve bazë”, u shpreh znj.Manastirliu.

Duke theksuar se sistemi shëndetësor nuk do të shihet si i fragmentuar, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tregoi hapat konkretë ku do të ndërhyhet për përmirësimin e shërbimit në spitale.
“Kemi gati planin per Spitalet universitare të cilat do të nisin zbatimin e një modeli të ri Patronazhimi dhe bashkëpunimi me spitalet rajonale në vend, duke plotësuar mbi baza ditore nevojat me mjekë specialistë sipas që kanë spitalet rajonale.

Çdo të thotë kjo? Incentivat financiare dhe bonuset që kemi përcaktuar do të jetë instrumenti që do mundëojë shpërndarjen e mjekësve aty ku është nevoja, pra spitalet universitare do të dërgojnë në ditë të caktuara mjekë specialistë për të dhënë shërbim të specializuar në spitalet rajonale, e për të shmangur kështu mbingarkesën në spitalet e Tiranës, por mbi të gjitha për të afruar shërbimin mjekësor aty ku është nevoja. Asnje spital nuk do të dergoje pacientë direkt në spitalet universitare, pa ndjekur sistemin e brëndshëm referimi dhe pa u konsultuar me mjekët e shërbimit terciar. Konsultat do te kryhen permes sistemeve si telemjekësia, përjashtuar këtu rastet urgjente, të percaktuara qarte në protokollet e miratuara”, tha znj. Manastirliu.

Lidhur me urgjencën e zemrës, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh: “Plani ynë për Urgjencën kardiake është qe brenda vitit 2019 trajtimi i rasteve te urgjencës kardiake te shtrihet në Spitalin Shefqet Ndroqi dhe Spitalin e Shkodrës. Gjatë 2018 do të hapim hemodinamikën në spitalin e Fierit për të mbuluar zonen e jugut te vendit, duke krijuar kështu një hartë të re të shërbimeve të kardiologjisë invasive publike. Ndërsa flotës së shërbimit të urgjencës kombëtare do t’i shtohen 35 autoambulanca te reja gjatë vitit 2018, për një shërbim të shpejtë dhe dinjitoz.”.

Ministrja u ndal dhe te shërbimet e reja që do të implemetohen në vitin 2018.
“Përmes partneritetit publik privat, nga viti i ardhshëm zgjerojmë gamën e analizave laboratorike në shërbimin publik, nga 20-70 lloje analizash që ofrohen sot, në 164 teste, duke 3-fishuar analizat që do të kryhen falas në spitalet publike. Jo vetëm do të zgjerojmë gamën e analizave, por do te vendosim një standard të ri të certifikuar të shërbimit laboratorik”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sipas Ministres Manastirliu, do të eleminohet çdo burokraci që rëndon mbi qytetarët, në formën e sorrollatjeve dhe vonesave në shërbime, sikurse kemi nisur me heqjen e disa dokumenteve si karta e shëndetit dhe do të vijojmë së shpejti me heqjen e rekomandimit në letër dhe përfshirjen e të gjithë qendrave të kujdesit parësor në sistemin e ri të referimit elektronik të konsultave duke vijuar me programin tonë të shëndetësisë elektronike.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb