Teuta ka siguruar fitoren e 3 në 5 ndeshjet e para të fazës së tretë dhe duket shumë më e qetë në objektivin e saj për mbijetesën në Superiore. Skuadra e Maganit ka mundur minimalisht 1-0 Korabin për t’u shkëputur ndjeshëm nga zona e ftohtë e klasifikimit.

Durrsakëve u mjaftoi goli me penallti i Ribajt në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa më pas menaxhoi situatën duke bllokuar sulmet e dibranëve që vinin të përgjysmuar pas pezullimeve të njëpasnjëshme ndaj titullarëve të akuzuar për tolerime.

Humbja e radhës e Korabit tashmë tregon qartësisht se për këtë ekip ka mbetur pakgjë për të bërë në Superiorë dhe çështja është vetëm si do të mbijetojë deri në fundin e këtij sezoni duke përllogaritur se është braktisur edhe nga financuesit.

MINUTË PAS MINUTE

90’+3′ Vjen vërshëllima përfundimtare që i jep suksesin 1-0 Teutës.

90′ Tre minuta shtesë deri në vërshëllimën përfundimtare.

88’ Shabani rrezikon autogolin. Mbrojtësi eviton një aksion të rrezikshëm të Bangal duke devijuar topin por e kthen pa dashje mbrapa, me sferën që kalon afër shtyllës pingule të portës së Korabit.

86’ Më e kujdesshme në këto minuta Teuta që nuk kalon në aventura të tepruara, pasi mbron një avantazh shumë të rëndësishëm për vazhdimësinë e sezonit.

81’ Laço mban në lojë Korabin me një ndërhyrje vendimtare. Musta shfaqet i vetëm para portierit dhe gjuan me forcë drejt katërkëndorit të dibranëve por gardiani ndërhyn duke shpëtuar portën.

76’ Situata zhvendoset në krahun tjetër ku kombinimi mes G. Kaloshit dhe Gavazajt nuk finalizohet siç duhet nga i fundit që dërgon topin shumë lart mbi traversë.

75′ Kundërsulm i shkëlqyer i Maganit në krahun e majtë të sulmit. Futbollisti bën gjithçka mirë duke kaluar tre mbrojtës për të hyrë ën zonë, por nuk arrin më pas të gjuajë me saktësi, me sferën që përfundon jashtë katërkëndorit te Laços.

66’ Tre aksione radhazi nga krahu i majtë i Korabit, me A. Peposhin që arrin të marrë me vazhdimësi fundoren por nuk ka saktësi në pasimin në qendër duke shpërdoruar mundësi të mira për të barazuar rezultatin.

65’ Provon të reagojë Korabi, që nuk ka çfarë të humbasë më dhe hidhet plotwsisht nw sulm. D. Peposhi merr topin në krahun e djathtë dhe në hyrje të zonës gjuan drejt kuadratit, por pa shenjestruar siç duhet, pasi sfera kalon mbi traversë

55’ Ribaj ekzekuton vetë nga pika e bardhë dhe nuk gabon, 1-0.

54’ Pas një aksioni nga e majta, Musta pason në qendër për Ribajn. Ky i fundit rrëzohet pas një kontakti në zonë me Kajën dhe për gjyqtarin nuk ka dyshime, pasi sinjalizon menjëherë për penallti.

54’ Pas një aksioni nga e majta, Musta pason në qendër për Ribajn. Ky i fundit rrëzohet pas një kontakti në zonë me Kajën dhe për gjyqtarin nuk ka dyshime, pasi sinjalizon menjëherë për penallti.

46′ Magani fillon pjesën e dytë me një ndërrim në radhët e ekipit të tij, duke hedhur në fushë Bangal në vend të Papës.

45′ Asnjë minutë shtesë në pjesën e parë të kësaj ndeshje, e cila pa Teutën në kontroll të plotë të lojës, por pa gjetur hapësirat për të shënuar në portën e dibranëve të cilët mbrohen me shumë forca.

36’ Kombinim i bukur mes Prognit dhe Kotobelli me të dytin që merr fundoren në të majtën, por pasimi i tij në qendër ndalet nga Laço, i pakalueshëm deri tani.

35’ Ribaj shfaqet përsëri rrezikshëm në zonën e Korabit por Kaja rrëshqet në kohë duke larguar topin nga këmbët e sulmuesit të Teutës.

28′ Prej disa minutash, loja është zhvendosur para portës së Korabit, pasi Teuta kërkon të kalojë sa më shpejt në avantazh. Ribaj shpërdoron një tjetër mundësi të artë pas një harkimi nga e majta i Hilës, por RIbaj me kokë nuk gjen kuadratin edhe pse pak hapa larg portës dibrane.

21’ Progni provon me një goditje dënimi të gjejë të papërgatitur Laçon, por gardiani arrin të devijojë me një prekje në momentin e fundit duke larguar topin jashtë vijës fundore.

14’ Aksioni i parë i rrezikshëm i ndeshjes dhe Ribaj është shumë pranë golit. Sulmuesi i shpëton pozicionit jashtë loje dhe shfaqet i vetëm para portierit Laço. Gjuajtja e tij në shtyllën e dytë devijohet mjeshtërisht me këmbë nga gardiani i Korabit i cili shpëton katërkëndorin.

7′ Mziu provon disa herë të gjejë rrjetën me gjuajtje nga jashtë zonës, por pa shumë sukses pasi nuk shqetëson portierin Moçka.

1’ Korabi nis nga qendra topin e parë të kësaj sfide.

Teuta-Korabi 1-0
55′ (p) Ribaj

Teuta (4-2-3-1): Moçka; Beqja, R. Hoxha, Markoviç, Kotobelli; Hila, Cmajcanin (76′ Shkalla); Progni, Papa (46′ Bangal), Musta; Ribaj (60′ Magani)

Trajner: Gugash Magani

Korabi (4-4-2): Laço; Shabani, Prençi, Kaja, A.Peposhi; Jubani, Gavazaj (90′ Kraja), Arifaj, Mziu; Ivani (63′ E. Kaloshi), D.Peposhi (74′ G. Kaloshi).

Trajner: Gerd Haxhiu

KV: Cmajcanin, R. Hoxha, Hila, Markoviç / Kaja, G. Kaloshi

Gjyqtar: Indrit Myrtaj

(Panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: