GJIROKASTER- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një mbledhje me strukturat e partisë në Gjirokastër, nuk i kurseu akuzat për qeverinë, ndërsa risolli në vëmendje deklaratën e ambasadorit Donald Lu.

Mes të tjerash ajo tha se shumë kush pyeste para zgjedhjeve se pse LSI nuk bëri sërish koalicion me PS, ndërsa shtoi se presioni ka qenë shumë i madh.

“Faleminderit të gjithëve! Sigurisht që përgjegjësia për të folur në Gjirokastër është shumë e madhe, për të vetmen arsyes sepse që të vish në Gjirokastër duhet të jesh shumë e përgatitur, duhet të jesh shumë e përqendruar. Gjirokastra është djepi i kulturës, qytetarisë dhe i patriotizmit. Ndaj, në radhë të parë të gjithë politikanët që vijnë dhe takohen me gjirokastritët duhet të ndiejnë jo vetëm respekt dhe mirënjohje për historinë e këtij vendi por mbi të gjitha për këtë popull kaq punëtor, kaq mikpritës dhe kaq të dashur. Këtë gjë LSI e ka ndier në momentet e saja më të vështira dhe nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të përulem me mirënjohje dhe respekt për të gjithë ju dhe për të 13 mijë e 500 votuesit e LSI-së në Qarkun e Gjirokastrës, vota të dhëna nën thundrën e krimit, nën terrorin e Policisë së Shtetit. Mbijetuan, luftuan dhe treguan që janë vërtetë patriotë, njerëz që e duan vendin dhe nuk pranuan që të jenë as segmente, as shërbëtorë dhe as argatë të bandave, të kriminelëve dhe të drogës.
Mund të flasim pafundësisht për sa i përket analizës së zgjedhjeve të 25 qershorit . Është një situatë e cila ndodh vetëm në vendet më të varfra të botës ose në vende që mbizotëron diktatura apo narko-diktatura. Dhe Shqipëria nën drejtimin e kësaj qeverie dhe të këtij Kryeministri të lajthitur dhe të kapur peng po shkon drejt një narko-diktature, drejt një sistemi që bazë të vetin ka krimin, ka mafien dhe mbi të gjitha ka varfërinë, që të shtrihet sa më shumë në vendin tonë.

Edi Rama zgjodhi të ishte zëri i krimit, ne zgjodhëm të ishim zëri i qytetarëve. Ky është ndryshimi midis nesh dhe Rilindjes. Shumë veta na thonë se ju dolët në opozitë sepse nuk pranuat të bënit koalicion me Rilindjen etj etj. Në fakt presioni ka qenë shumë i madh para zgjedhjeve. Vangjeli e di sepse kemi qenë edhe në Kryesi, ku pjesa më e madhe e saj ndihej nën një presion të jashtëzakonshëm për sa i përket situatës dhe gjendjes me krimin e organizuar. Besoj ju të gjithë i mbani mend deklaratat e Ylli Manjanit, deklaratat e Luan Ramës, deklaratat e Lefter Kokës, deklaratat e të ndjerit Gjovalin Kadeli, deklaratat e Vangjelit dhe të shumë deputetëve të tjerë që ngrinim zërin për kabanizimin e Shqipërisë. Ndoshta nuk e bënim dot publikisht menjëherë por çdo ditë e shumë e ngrinim zërin sepse po vinte kjo ditë e tmerrshme që ka ardhur sot. Pse them e tmerrshme! Sepse sot kemi një qeveri që nuk punon, kemi një qeveri që përfaqëson 4 familjet mafioze, siç e ka thënë edhe ambasadori amerikan Lu, përfaqëson klanet kriminale, siç e ka thënë ambasadori Lu por edhe shumë të tjerë. Të gjitha këto fjalë të LSI-së u vërtetuan me raportin që solli antimafia italiane.

Sigurisht që çdo deklarim që mund të ngrihet brenda jetës politike shqiptare mund ta quajmë të politizuar por raporti për sa i përket përfshirjes së ish-ministrit të Brendshëm në një veprimtari të organizuar kriminale siç është trafikimi i lëndëve narkotike apo edhe i armëve është një gjë shumë e rëndë, jo vetëm për qeverinë dhe për partinë që e përfaqëson atë por është një gjë shumë e rëndë edhe për ne. Është një gjë shumë e rëndë për shqiptarët dhe për brezat e ardhshëm. E themi këtë me vetëdije të plotë sepse Shqipëria është një vend i vogël, është një vend i varfër dhe kjo jo për shkak dhe për të faj të shqiptarëve por për shkak dhe për faj të klasës politike. Të kësaj klase politike që vazhdon dhe e mban Shqipërinë akoma në tranzicion edhe pas 27 viteve.

Papunësia, varfëria dhe situata e rëndë ekonomike ka përfshirje çdo segment të jetës sonë. Ne kemi lëvizur shumë nëpër rrethe. Dje ishim në Bulqizë ku pamë një situatë të mjeruar dhe të tmerrshme. Diskutuam për Statusin e Minatorit, që është një nga absurditet e jetës politike shqiptare, e cila për 27 vite nuk e kalon një gjë të tillë. Ka njerëz që punojnë dhe jetojnë në kushte të tmerrshme dhe nuk kanë asnjë gjë të garantuar, jo vetëm për veten e tyre por edhe për familjarët e tyre, nëse iu ndodh ndonjë aksident. E megjithatë reagimi ndaj qeveria shqiptare ka qenë indiferent ose mospërfillës.
Do të kujtoja historinë e Statusit të Naftëtarit, që po të mos kishin bllokuar vetë naftëtarët hyrjen e godinës së Kryeministrit Rama nuk do të kishin një status të tillë. Edhe pse ai është një status i cunguar, ajo erdhi si rezultat i një revolte nga naftëtarët. Sigurisht që ne gjendemi për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, pas gjashtë javësh nga hapja e një sesioni parlamentar, në një situatë të tillë ku kemi një qeveri të rënë moralisht dhe politikisht. Kemi një qeveri, e cila nuk funksionon absolutisht, por është strukur në cepin e saj për të mbuluar zullumet dhe lidhjet e saj të fshehura me krimin e organizuar dhe grupet e drogës. Ajo q dua të theksoj është që situata është e vështirë por ama ka një element shumë të mirë dhe pozitiv, shqiptarët janë ndërgjegjësuar dhe e kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur. Unë jam e bindur që pjesa më e madhe e juaja gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë e trullosur për atë se çfarë ka ndodhur, sepse njerëzit janë të frikësuar, nuk paraqiten më nëpër zyrat e partive politike, por detyrohen të falen tek kryetarët e bandave, sepse është shumë më e lehtë të jesh pjesë e një bande për të filluar punë në shtet, për të fituar të drejtën tënde diku, apo për të takuar një ministër apo Kryeministër. Nëse do të jesh një popull i thjeshtë, nëse do të jesh një hallexhi, nuk mund ta kesh kurrë këtë shans. Shqiptarët ia kanë dhënë disa herë shansin Edi Ramës, tre herë si kryetar bashkia, dy herë si ministër Kulture, ia dhanë shansin, bashkë me LSI-në në 2013-n për të qenë Kryeministër, ia dhanë edhe shansin me paratë e drogës duke deformuar dhe duke intimiduar shqiptarët për t’u bërë përsëri Kryeministër. Por, politika shqiptare nuk ia dha asnjëherë shansin shqiptarëve, prandaj është koha që ne sot t’ua japim këtë shans atyre për t’u shkëputur nga ky tranzicion i përvuajtshëm, i mjerueshëm dhe dramatik. Rruga në të cilën na ka futur qeveria e Rilindjes është një rrugë, e cila çdo ditë dhe më shumë po na çon drejt një katastrofe ose drejt një humnere pa shpresa.

Unë besoj tek LSI-a, besoj tek ju, tek të gjithë ata djem dhe vajza të LRI-së, të gjithë ato burra dhe gra të LSI-së dhe kjo është arsyeja se përse pranova të marr përsipër një detyrë, e cila është e vështirë, që kërkon mbi të gjitha angazhim, përkushtim, por më shumë se çdo gjë kërkon pasion. Nëse nuk do të kemi pasion brenda vetes sonë për të ndryshuar këtë realitet të hidhur, do të jetë shumë e vështirë. Bandat janë shumë të vogla në numër përballë popullit shqiptar, i cili çdo ditë përballet dhe përplaset me varfërinë. Dhe unë jam e bindur që me kriminelët, me mafiozët, me kryemafiozin Edi Rama, i cili ka marrë peng këtë vend, ka marrë peng shqiptarët dhe shpresën e tyre për ta kthyer në shërbim të krimit të organizuar, është një betejë që do të fitojnë shqiptarët. Edhe pse jemi të vonë në kohë, kjo betejë do të ketë rezultatin e saj, që do të jetë absolutisht në shërbim të qytetarëve shqiptarë. E them këtë me bindje të plotë, sepse besoj tek energjia, vrulli dhe pasioni i të rinjve, të cilët dëshirojnë të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe jo për t’u larguar për në Evropë e për të mos u kthyer më.

Dua të falënderoj shumë të gjithë ato burra e gra, djem dhe vajza, të cilët ishin numërues, ata që ishin pjesë e shtabit elektoral të grupit të deputetëve të Gjirokastrës, që është një qark i vogël, por shumë i rëndësishëm për LSI-në. Është një qark i vogël përsa i përket numrit të deputetëve, por një qark i madh me një zemër të madhe, me një shpirt të madh dhe me një frymëzim të madh për gjithë LSI-në e Shqipërisë. Prandaj ju uroj me gjithë zemër gjithë të mirat e kësaj bote, Zoti ju ruajt juve dhe familjet tuaja. Edhe pse grua, edhe pse nënë dhe me detyrime familjare, dua që misionin që shokët dhe miqtë e LSI-së ma kanë ngarkuar, ta çoj deri në fund. E vetme kjo nuk mund të realizohet, por të qenurit të bashkuar na bën të pathyeshëm për ta kthyer këtë vend në rrugë të mbarë. Ju faleminderit.”, tha Kryemadhi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: