NGA ORNELA MANJANI

TIRANE– Banka e Shqipërisë harton një ligj për mënyrën si do të veprohet në rast se një prej bankave të nivelit të dytë falimenton. Projektligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë” është dërguar në Kuvend. Në relacionin përkatës Banka e Shqipërisë, kriza financiare tregoi se instrumentet ekzistuese ishin të pamjaftueshme për të trajtuar në mënyrë të efektshme bankat, të cilat nuk janë në pozita të shëndosha financiare ose që janë në kolaps. Gjatë krizës, shumë vende për t’i shpëtuar bankat nga likuidimi përdorën paratë e taksapaguesve, nëpërmjet mbështetjes me likuiditet të tyre nga bankat qendrore ose me dorëzani nga shteti.

Nëpërmjet këtij projektligji, synohet t’i jepen kompetenca të gjera Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (Bankës së Shqipërisë) si p.sh., e drejta për të shkarkuar dhe zëvendësuar administratorët e bankës dhe organet drejtuese të saj; e drejta për të emëruar një administrator të posaçëm; e drejta për të transferuar aksionet, aktivet dhe detyrimet e bankës te palët e treta pa marrë miratimin e aksionarëve ose kreditorëve, si dhe e drejta për të anuluar aksionet ekzistuese dhe emetimin e aksioneve të reja me qëllim zëvendësimin e aksionarëve ekzistues.

QËLLIMI

Një nga qëllimet e këtij projektligji është shmangia sa më shumë e nevojës për një veprim të tillë, pra shmangies së përdorimit të fondeve të taksapaguesve. Projektligji synon të vendosë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë (Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme) një tërësi instrumentesh ligjore për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha ose në gjendje kolapsi në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e funksioneve financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës, gjithmonë duke minimizuar efektin që ka kolapsi i saj tek ekonomia dhe sistemi financiar.

Këto instrumente sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të jenë aksionarët dhe pas tyre kreditorët, me kusht që asnjë kreditor të mos mbartë humbje më të mëdha se humbjet që do të pësonte nëse banka do të ishte likuiduar sipas procedurës së zakonshme të likuidimit të detyruar në zbatim të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. Këto instrumente do t’i japin mundësi autoritetit, për shembull, për të ruajtur mundësinë e pandërprerë për pranim të depozitave dhe për të kryer transaksione pagesash, duke shitur pjesët rentabël të bankës kur është e nevojshme dhe për të mbuluar humbjet në mënyrë të atillë që të shmangin destabilizimin e tregut financiar dhe minimizimin e kostove e taksapaguesve.

RASTET E KRIZËS
Kriza financiare e shfaqur qartësisht pas vitit 2008 tregoi se kishte një mungesë të konsiderueshme të instrumenteve të mjaftueshme për të trajtuar në mënyrë të efektshme bankat, të cilat nuk janë në pozita të shëndosha financiare ose që janë drejt një kolapsi të pritshëm. Gjatë krizës, shumë vende për t’i shpëtuar bankat nga falimentimi përdoren paratë e tatimpaguesve, nëpërmjet mbështetjes me likuiditet të tyre nga bankat qendrore ose me dorëzani nga shteti. Ky proces paraqet një ngarkesë të madhe monetare për buxhetet e shteteve dhe krijon një barrë jo të vogël financiare për tatimpaguesit. Një nga qëllimet e këtij projektligji është shmangia sa më shumë e nevojës për një veprim të tillë nga shtetet. Si pjesë e programit të bashkëpunimit me Bankën Botërore (Modernizimi i sektorit financiar) DPL II, duke filluar nga qershori 2015, filluan diskutimet midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore.

Me asistencën e FINSAC (Financuar nga Banka Botërore), me qendër në Vjenë, u krye një analizë e thellë e nevojave për një shtrat të qartë normativ në Shqipëri, duke vlerësuar se në Shqipëri nuk ishte asnjë instrument tjetër përveç ndërhyrjes së menjëhershme të shtetit në situatë të një krize financiare të sektorit bankar. Projektligji i propozuar i jep Bankës së Shqipërisë (Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme) një tërësi instrumentesh ligjore në dispozicion për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha ose në prag kolapsi, në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e funksioneve financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës, gjithmonë duke minimizuar efektin që ka kolapsi i saj te sistemi financiar dhe ekonomia e vendit në tërësi.

INSTRUMENTET

Instrumentet e parashikuara në projektligj sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të bankës të jenë aksionarët dhe pas tyre kreditorët. Për këtë, projektligji parashikon krijimin e një fondi me kontribute kryesisht të vetë bankave, i cili synohet të konsolidohet në disa vjet dhe në rast të një rreziku në përputhje me kushtet e përcaktuara në projektligj të përdoret për të “shpëtuar” një apo disa banka.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb