TIRANË- Një fenomen jo pak i çuditshëm në kryeqytetin shqiptar, një semafor që nuk ekziston për drejtuesit e automjeteve. Dhjetëra shoferë që kalojnë në urën lidhëse mes Paskuqanit dhe Babrrusë nuk pyesin për ngjyrat e semaforit por vijojnë rrugën pa të keq duke mos respektuar rregullat e qarkullimit rrugor. Por sot një patrullë e policisë rrugore, me sa duket me mjet civil ka qendruar para semaforit dhe ka raportuar të gjitha makinat që kalonin me semafor të kuq tek patrullat e tjera.

Policia Rrugore e Tiranës, ka marrë një sërë telefonatash për bllokim të qarkullimit herë pas herë nga shkelës të qarkullimit rrugor, të cilët shkelin semaforin e vendosur për të disiplinuar lëvizjen pasi ka vetëm një korsi lëvizje.

Semafori i vendosur tek ura e ngushtë që lidh zonën e Paskuqanit dhe të Babrroit me Tiranën, çdo ditë kryesisht në orët e pikut ka telefonata për bllokim të trafikut për shkak se nuk respektohet semafori, duke bllokuar lëvizjen mbi urë.

Nisur nga këto shqetësime Policia Rrugore e Tiranës prej orës 09:30 të ditës së sotme ka organizuar grup kontrolli për dokumentimin dhe verifikimin e shkeljeve administrative në këtë zonë dhe nga monitorimet e kryera janë konstatuar dhe ndëshkuar 30 automjete për shkelje të parashikuara në nenin 144 paragrafi 3 i ligjit Nr.8378 datë 22.07.1998, i ndryshuar, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë “pasi kanë vazhduar lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalon atë”.

Policia Rrugore do vijojë me kontrollet në këtë zonë edhe ditët në vazhdim, me qëllim disiplinimin e përdoruesve të rrugës me sinjalizimin e ndritshëm, si dhe shpreh edhe një herë falënderim për të gjithë ata qytetarë që denoncojnë shkelësit e Kodit Rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.

(m.k/BalkanWeb)