TIRANE– Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur për propozimet e socialistëve për ndryshime në rregulloren e parlamentit dhe konkretisht për pikën që ka të bëjë me riformulimin e mënyrës së kërkesës nga ana e Prokurorisë për arrestimin e një deputeti, ku sipas ndryshimeve të propozuara duhet të përmbajë një relacion të shoqëruar me prova.

Opozita thotë se një element i tillë është i papranueshëm, pasi sipas saj, e kthen Parlamentin në Gjykatë dhe mbron deputetët. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Taulant Balla tha se PS nuk ka asnjë barrierë për imunitetin e deputetëve dhe ndryshimet bëhen, pasi nuk janë reflektuar rekomandimet e BE dhe KE për funksionimin e rregullores së Kuvendit.

“Ndryshimet bëhen pasi nuk janë reflektuar rekomandimet e BE dhe të KE për funksionimin e rregullores. Dua të sqaroj se rregullorja e Kuvendit nuk është ligj, por një vendim për të rregulluar punën e mekanizmave brenda vetes. Në këtë kontekst, një prej institucioneve të Kuvendit në seancën e vet nuk ka pasur asnjë plan se si funksionon. Unë jap dorëheqjen nëse Basha gjen ndonjë element që është pengesë për hetimin e një deputeti. PS nuk ka asnjë barrierë për imunitetin e deputetëve”–tha Balla.

Deputeti i PS u pyet edhe për faktin se LSI kur ishte ne qeveri ishte pro ndryshimeve të kodit të procedurës penale, ndërsa tani është kundër. Balla u shpreh se rëndësi ka se çfarë mendojnë SHBA dhe BE për këto ndryshime, ndërsa sipas tij ka ca njerëz që nuk e kanë për turp të gënjejnë. Balla tha se një kopje të drafit do ja nisë EURALIUS dhe OPDAT.

“Ka ca njerëz që nuk e kanë për trup të gënjejnë siç është Basha apo Kryemadhi. Rëndësi ka çfarë mendojnë partnerët tanë për këto ndryshime, siç janë mendimi i SHBA dhe BE. Një kopje të draftit ne do ja nisim EURALIUS dhe OPDAT. Sot duhet të miratohej drafti që do i shkojë seancës për kodin e etikës. Basha gënjen, pasi ende nuk ka lexuar draftin. Ai thotë se ne po bëjmë ligj për të ngritur barriera për hetimin e deputetëve, por kjo nuk është e vërtetë. Për rregulloren e Kuvendit ne jemi bazuar në kod dhe ne shtetet e tjera”- tha Balla, raporton BalkanWeb.

Në lidhje me amendamentin e opozitës për ndryshimet në kushtetutë dhe pikën për zgjedhjen e kryeprokurores, Balla u shpreh se mazhoranca është në një linjë me mendimin e SHBA.
“Ne jemi në një linjë me SHBA sa i përket amendamenteve të opozitës dhe mendoj se PD-LSI po krijojnë një aleancë për të penguar reformën në drejtësi”- tha ai.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: