TIRANE-Klement Balili, drejtori i Transporteve të Sarandës, prej momentit që u shkarkua paraditen e së enjtes, nuk dihet se ku
ndodhet. Ai është shpallur në kërkim nga policia greke, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, pas bllokimit të një sasie prej gati 700 kg droge më 8 maj, në brigjet e Zakinthos. Mediat greke theksojne se shqiptari i njohur per aktivitetin e gjere te narkotrafikut njihej si Pablo Escobari i Ballkanit, nje baron droge.
Klement Balili rezulton një person i shumëkërkuar në Greqi, por ende nuk ka një urdhër arrest ndërkombëtar. Burime pohojnë se policia shqiptare është në pritje të prerjes së një urdhër arresti ndërkombëtar.
Por, megjithëse një urdhër i tillë ende nuk ka mbërritur zyrtarisht, jozyrtarisht mësohet se Policia e ka mbajtur nën vëzhgim Balilin.

Pas verifikimit në sistemin TIMS, nuk rezulton që ai të ketë lënë në rrugë zyrtare vendin. Që prej ditës së djeshme, në qytetin e Sarandës janë shtuar edhe dy furgonë me efektivë policie. Ndërkaq në cdo pikë kufitare janë ngritur postblloqe me të dhëna mbi Balilin.

Mëngjesin e së premtes, efektivë të Komisariatit të Policisë në Sarandë, në bashkëpunim edhe me forcat e FNSH­së, të ardhura nga Tirana, kanë kryer kontroll në banesën e Klement Balilit, në fshatin Stjar, Bashkia Delvinë. Mesohet se në banesë ndodhej vetëm bashkëshortja e Klement Balilit dhe dy fëmijët e tij. Nga ana e familjarëve të tij pyetjes se, nëse drejtori i shkarkuar ishte larguar nga Shqipëria, iu përgjigjën se nuk kishin asnjë dijeni.

Pas shpalljes në kërkim të Klement Balilit nga ana e policisë greke, ai shkoi në zyrë për të formuluar dorëheqjen. Më vonë, nga Tirana u mësua se për drejtorin e Transporteve në Sarandë ishte firmosur shkarkimi, me qëllim që autoritetet të jenë të lira të kryejnë veprimet.
Vetë Balili i ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij, si drejtuesi i grupit që kalonte drogën nga Shqipëria në vendet e tjera të Europës.
Sipas tij, dosja penale e tij është e pastër dhe në Greqi, aty ku është lëshuar urdhri i ndalimit, nuk ka qenë që në vitin 2009. Por largimi i tij në mënyrë të paditur ka ngritur të tjera mistere.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: