TIRANË- Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit socialist Ben Blushi në lidhje me zgjedhjen e presidentin nga popullit, çështje për të cilën, ai dhe 9 deputetë të tjerë të spektrit të gjerë kanë depozituar në parlament draftin kushtetues.

PDIU deklaron se tentativa e Blushit duket si një hile e vockël politike pasi kjo forcë ka amendamentet e saj për zgjedhjen e presidentit.

Madje PDIU deklaron se për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga vetë kjo forcë janë mbledhur firmat e 28 deputetëve. PDIU publikon edhe amendamentin.

DEKLARATA E PDIU
Sot, dëgjuam deputetin Ben Blushi, i cili deklaroi se “Nëse ka një njeri këtu që është për president nga populli, unë jam gati ta gris amendamentin tonë. I vetmi amendament është ky që kemi përgatitur ne 10 burra dhe gra.” Meqë z. Blushi nuk e ka propozimin tonë të dorëzuar që në muajin janar, ai mund t’ia kërkojë atë znj. Hafizi, që deklaroi se e ka lexuar atë propozim.

Në çdo rast, bashkangjitur ju mund të gjeni propozimin e PDIU-së mbi pesë ndryshime kushtetuese, ku ndryshimi i dytë ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit nga populli dhe ndryshimi i tretë ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës me referendum, sikurse është miratuar hyrja e saj në fuqi.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është e shqetësuar mbi tentativën e disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të pamundësuar zgjedhjen e Presidentit nga populli, nëpërmjet një loje të shëmtuar politike.

PDIU, një parti institucionale dhe ligjore, e zhvilloi nismën e vetë nëpërmjet Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, që të gjitha palët, përfshi edhe z. Blushi kemi votuar për ndryshimet kushtetuese.

Mirëpo, tentativa e z. Blushi duket si një hile e vockël politike. Kushtetuta përcakton në nenin 177 se ndryshimi kushtetues mund të vijë me nismën e një të pestës së anëtarëve të Kuvendit, pra 28 deputetë. Z. Blushi nuk mund të grumbullojë aq firma. Prandaj, duket se tentativa e tij është që të krijojë zhurmë dhe asgjë më shumë, duke propozuar me 9 firma deputetësh një projektamendament e ta drejtojë atë te Komisioni i Ligjeve, edhe pse e di që është nul, për shkak të kushtit kushtetues të 28 firmëtarëve. Për më tepër, kjo zhurmë politike minon përpjekjen serioze të PDIU-së, që tentoi ta kalojë këtë amendament nëpërmjet komisionit të posaçëm.

Kjo lojë e shëmtuar politike që pamundëson zgjedhjen e presidentit nga populli duhet të marrë fund. PDIU është parti e akteve konkrete, përtej zhurmës. Amendamentet tona në ligjin e censusit, në reformën territoriale e në një sërë nismash të tjera, vërtetojnë se ne nuk veprojmë për demagogji politike, por për ndryshime rrënjësore dhe të arritshme në shërbim të shqiptarëve. Në të gjitha këto raste kemi hasur partiza ose individë që kanë tentuar të minojnë përpjekjet tona, por më kot.

Për këtë arsye, i bëjmë thirrje z. Blushi dhe kolegëve të tij t’i bashkëngjiten rrugës sonë që ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Komisioni i Posaçëm të përmbajnë dhe amendamentin e dytë të PDIU-së për zgjedhjen e presidentit nga populli, si rruga e vetme ligjore dhe kushtetuese që kemi në dorë. Një kopje të nismës sonë të fillimvitit do t’ia japim z. Blushi të enjten e ardhshme dhe shpresojmë që ai të mbajë premtimin dhe të grisi dokumentin e pavlerë me 19 firma më pak sesa nevojiten për një çështje kaq madhore, duke ndaluar edhe luftën me mullinjtë e erës që ka nisur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: