Kreu i Emergjencave Civile Shemsi Prençi deklaroi mbrëmjen e sotme se harta e përmbytjeve në Shkodër është zgjeruar. Në një lidhje telefonike për emisionin ‘Studio e Hapur’ në “News24” Prençi, teksa ndodhet në terren në zonat e përmbytura në këtë qark, tha se 15 fshatra në Shkodër janë përmbytur, duke shtuar faktin se situata sa vjen e përkeqësohet pasi niveli i lumenjve të Drinit dhe Bunës është i madh.

Mes të tjerash ai i bëri apel banorëve të këtyre zonave që jetojnë në shtëpi 1 katëshe, që të evakuohen. ‘BalkanWeb’ ju sjell si më poshtë intervistën e Prençit.

INTERVISTA
Pak orë më parë ju u shprehët se situata në Shkodër është kritike…

Normal situatën e kam ndjekur që nga data 22 shkurt, ku dhe janë dhënë paralajmërimet e para meteorologjike. Normalisht kemi ndërmarrë nismat ligjore sipas kompetencat për të informuar çdo strukturë të pushtetit vendor qoftë në pjesën e sipërme të kaskadës dhe në pushtetin qendror. Në datë 25 u mblodh sekretariati i menaxhimit të dogave, për prurjet në pjesën e sipërme. 3-4 mars ka filluar të duket prezenca e dukshme e ujit në disa fshatra, Ku në Obot 17 banesa ishin në ujë. Jo kërkonte menaxhim në nivel prefekture, por edhe angazhim të të gjitha strukturave.

Sa kritike është situata? Çfarë keni parasysh?
Me rritjen e prurjeve sot niveli ka ndryshuar, pasi një pjesë e rrugëve që lidhin Shkodrën me qendrat e njësive administrative Dajc dhe Velipojë, rrugët kanë 30-40 përqind të prezencës së ujit. Janë evakuuar disa familje dhe mundësitë për të qarkulluar janë vështirësuar

Do evakuohen të tjera familje?
Do të varet nga prurjet e Drinit të Bunës. Ne jemi në terren. Kemi kërkesa për të evakuuar. Ne kemi kërkuar që të ndryshojë forca e menaxhimit, duke ngritur lartësinë e gatishmërisë që operojnë në terren. Ne jemi në terren gjatë gjithë natës. Prurjet e Drinit dhe Bunës janë të mëdha,

Cilat janë zonat më delikate?
rendit të parin Obotin, ka rreth 20-30 shtëpi të përmbytura, Shirgj, dhe në fshatin Pele ka pasur përmbytje. Niveli i ujit ka prekur edhe fshatra të Vaut të Dejës. Ka 15 fshatra të prekura nga përmbytjet. Harta e përmbytjeve është zgjeruar së tepërmi.

Duke qenë se situata është kritike, a duhet shpallur gjendja e emergjencës?
Unë nuk jam autoriteti që shpall gjendjen e emergjencës civile. Normalisht kompetencën për ta propozuar gjendjen e ka ministria dhe më pas e miraton qeveria. Situata këto 3 ditët e fundit është përkeqësuar. Dalja e lumit Buna, kemi pasur edhe shpërthime në argjinatura, do të diktojë në menaxhimin e një tjetër ndërhyrje.

Keni kërkuar që punimet në rrugën e Velipojës të ndalen dhe prokuroria
Ky ka qenë një diskutim i imi në nivel prefekture. Duke parë që përmbytja është shtrirë deri në rrugën që të çon në Velipojë, në segment shihen se veprat e artit mbi veprën e kullimit janë të ndryshëm në diametër. Ajo bëhet shkas për stimulimin e përmbytjeve. Fakti që ka prezencë të ujit mbi nivelin, tregon se ata që kanë bërë rrugën nuk kanë pasur parasysh hartën e përmbytjeve në 2010-2013, për mua është vepër kriminale.

Cili është apeli juaj për këtë situatë?
Duke ditur shpejtësinë e prurjeve të lumenjve Drini dhe Buna, nga pjesa e sipërme që është me e shpejtë dhe tërheqjen në zonat më të ulta, normalisht nëse do të bëhen shkarkime niveli i ujërave mund të rritet edhe 10-20 cm. Në këto kushte unë i kam bërë apel të gjitha atyre familjeve që kanë banesa një katëshe, që duhet të largohen prej aty. Ata që janë banesa 2-3 katëshe mund të transportojnë orenditë në katet e sipërme. Po ashtu duhet të pezullohen qarkullimi i mjeteve të shkollave. Nuk duhet të lejojmë që të ketë pasoja në jetët njerëzore dhe të gjësë së gjallë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb