Banorë të Lushnjës dolën këtë të diel në protestë për të ngritur shqetësimin mbi gjendjen e spitalit të qytetit dhe kushtet e ofrimit të shërbimit shëndetësor. Tubimi u zhvillua fillimisht pranë Spitalit Rajonal të Lushnjës, ku qytetarë, pacientë dhe familjarë të tyre kërkuan investime konkrete për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit folën për vështirësitë që hasin çdo ditë në marrjen e shërbimeve shëndetësore. Ata denoncuan mungesat në infrastrukturë, kushtet e trajtimit të pacientëve, si dhe nevojën për më shumë investime në repartet dhe pajisjet spitalore. Protesta u thirr nga deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i cili iu bashkua qytetarëve në këtë tubim. Gjatë fjalës së tij, Korreshi deklaroi se banorët e Lushnjës meritojnë një spital me standarde dinjitoze dhe se investimet në shëndetësi nuk duhet të mbeten vetëm premtime.
Pas grumbullimit para spitalit, protestuesit nisën një marshim në këmbë drejt qendrës së qytetit. Me pankarta dhe thirrje për përmirësimin e sistemit shëndetësor, ata përshkuan rrugët kryesore të Lushnjës duke përcjellë mesazhin e tyre për institucionet përgjegjëse. Marshimi përfundoi në sheshin kryesor pranë bashkisë, ku u zhvillua tubimi përmbyllës.
