Në çadrat e shoqërisë civile pro peticionit të vettingut kanë firmosur deri tani ministrat socialistë dhe Kryeministri Rama. Kryebashkiaku Veliaj foli për objektivin e 1 milion firmave të qytetarëve, ndërsa ish-Kryeministri Majko i cilësoi ato si çadra të drejtësisë. “Ata kërkojnë sipas tyre çadrën e lirisë, ne kemi çadrën e drejtësisë”, tha Majko.

“Peticionin e kemi firmosur dhe vulosur me votë në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk besoj se ne kemi nevojë të firmosim rrugëve nëpër çadra”, shprehet Gjovalin Kadeli. Bashkëkryetari i koalicionit qeverisës Meta dhe ministrat e partisë së tij Gjosha, Dervishi, Panariti, Koka madje edhe deputetët e LSI-së u kanë qëndruar larg çadrave ku çdo ditë firmoset pro vettingut, pro reformës në drejtësi.

“Çështja e vettingut nuk është çështje peticionesh është çështje institucionesh dhe e zbatimit me korrektese dhe implementimit me shumë seriozitet”, thotë Luan Rama. Madje në peticionin pro reformës nuk ka firmosur as Petrit Vasili, ministri i ri Drejtësisë i kabinetit Rama.

A keni firmosur për peticionin pro vettingut?
Petrit Vasili:
Jo nuk kam firmosur.

Pse nuk keni firmosur?
Petrit Vasili:
Nuk kam firmosur.

Partia LSI është pro vettingut?
Petrit Vasili
: LSI është pro vettingut e ka firmosur vettingun. Në sajë të votave të LSI-së vettingu është sot një ligj që po zbatohet.

A mund të ngrihen komisionet e vettingut pa praninë e PD-së, e cila e ka bojkotuar Parlamentin?
Petrit Vasili:
Duhet të konsultoni ligjin se çfarë thotë.

Ju i keni bërë ftesë që të rikthehen në Parlament?
Petrit Vasili:
Patjetër që po./tch
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: