TIRANE- Nënkryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili bën një parashikim të errët për situatën ekonomike, ndonëse i pari i qeverisë Edi Rama ka folur për një rritje ekonomike më shumë se 4%.

Sipas Vasilit, paratë po ikin nga vendi duke e çuar ekonominë drejt një humnere pa kthim. E ndërsa ironizoi me kryeministrin Rama, Vasili foli sërish për nevojën e një pakti kombëtar për ekonominë.

STATUSI I PLOTE

Paratë po ikin, ekonomia po rrënohet dhe shkollëpaku argaliset me call center.
Banka e Shqipërisë raporton se bankat shqiptare po kreditojnë masivisht jo bizneset në Shqipëri, por bizneset në Kosovë, Maqedoni, Turqi dhe jo pak, por plot 505 milionë euro.
Këta tregues po rriten vit pas viti. Biznesi shqiptar po përjeton ditë shumë të vështira.
Dërdëllitjet televizive të kryeministrit të paditur në kotecin e tij televiziv për call-center për biznesin janë lajthitjet e një mendjeje boshe dhe të paaftë, qe po e çon vendin drejt një humnere ekonomike, që prodhon vetëm varfëri të thellë, polarizim të frikshëm shoqëror, deprimim dhe rrënim pa kthim.
Dikush duhet t’ia shpjegojë këtij kryeministri të paditur, që qesh pa vetëdije, se paratë e drogës dhe krimi që janë ulur këmbëkryq ngado, po e shkretojnë ekonominë e Shqipërisë dhe po i bëjnë edhe investitorët vendas, e jo më ata të huaj, që të ikin nga sytë këmbët.
Shqipëria ka nevojë klithëse për model ekonomik dhe për një pakt kombëtar për ekonominë, që të ngjallë besim e siguri, që ta bëjë biznesin të kthejë sërish sytë nga Shqipëria. Këtë mund ta bëjnë vetëm profesionistët dhe jo shkollëpaku.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: