NGA FATMIRA NIKOLLI

Ai mishëron aspekte të ndryshme të psikikës së Krol Roger. Tenori shqiptar Saimir Pirgu ka qenë më shumë se i barabartë me kërkesat vokale dhe interpretative, i fuqishëm në vërshimet lirike dhe në të njëjtën kohë i mrekullueshëm, misterioz dhe me qëllime të këqija”.

Me këto fjali e vlerësonte “Opera Today” tenorin shqiptar në një artikull për rolin e tij në operën “Krol Roger”, tanimë një nga pesë kandidatet për çmimin “Grammy”. Vlerësime të mëdha i kanë dhënë artistit shqiptar edhe media të tjera për këtë rol, ndërsa vetë tenori, në mes të provave për produksionin e radhës, thotë veçse: “Jam i lumtur!”

Pas suksesit që ka pasur me prezantimin e albumit të tij “Il Mio Canto” në gjithë teatrot më të mëdha botërorë dhe vlerësimit me çmimin “Verona Lirica Award 2016”, nominimi i tij në “Grammy Awards” e bën këtë vit, vitin e artë të Saimir Pirgut! “Me një zë të mrekullueshëm”, shkruante “Whats on stage” për artistin shqiptar kur ai interpretonte këtë rol në maj të vitit 2015. “Tenori shqiptar Saimir Pirgu këndoi Profetin, duke mishëruar në mënyrë të përkryer atributet fizike të një të riu të këndshëm i cili udhëheq një kult të kënaqësisë fizike; si dhe duke ofruar lirizmin e vazhdueshëm dhe ngrohtësi në vokalin e zhdërvjellët”, shkruante “Opera News”.

“Më gëzon shumë fakti, sepse as nuk e prisnim. Midis mijëra produksionesh nëpër botë është zgjedhur nga kritika pikërisht ky. Është një arritje e madhe për të gjithë ne artistët, regjisorin dhe gjithashtu edhe për Operën Mbretërore në Londër”, thotë tenori për “GSH”. Ai shton se “jemi 5 albume në garë e pretendentët janë nga më të mirët, por shpresa mbetet. Gjithsesi jam i surprizuar edhe nga kritika botërore që e ka zgjedhur si një nga 5 produksionet më të mira të vitit”.

Tenori tregon se “e gjithë historia nisi kur Opera Mbretërore e Londrës më kërkoi të debutoja një rol të ri, i cili ishte në gjuhën polake, domethënë një gjuhë jo fort e njohur nga publiku”. Sigurisht, tenori pranon se “vështirësitë ishin të mëdha, sepse ishte një gjuhë e panjohur për mua, m’u desh ta mësoja për një kohë tepër të shkurtër rolin, por mbas premierës i gjithë produksioni pati më të vërtetë tepër sukses, si në publik, edhe nga kritikët në Londër. Suksesi i produksionit u ndje që në fillim”.
Megjithëse mediat prestigjioze britanike e vlerësuan operan, duke e konsideruar kryevepër, Pirgu pranon se “asnjëri nga ne nuk e mendonte se do të përzgjidhej nga kritika dhe se do të nominohej për ‘Grammy’, si një nga pesë produksionet më të mira të vitit”.

Vetë Pirgu, ka në këtë vepër rolin e një personazhi sharmant, që vjen për të trazuar jetën e mbretit, duke bartur në vetvete traumat vetjake të kompozitorit, homoseksualizmin dhe përplasjen a pikëtakimin e Dionisit me Apollonin, teorive të Frojdit e shumëçkaje tjetër.

“I gjithë studimi i një roli të ri dhe e gjithë përpjekja ime dhe e gjithë kolegëve, pati sukses, dhe ky është një fakt që më gëzon mua dhe të gjithë ne. Pas një viti si ky, pas publikimit të diskut, po nga e njëjta shtëpi diskografike, ‘Opus Arte’, me gjithë shfaqjet e suksesshme në të gjithë botën, ky nominim në fund të vitit është një dhuratë shumë e madhe. Fitojmë apo nuk fitojmë, nominimi në Oscarin e muzikës botërore, sido të jetë, për çdo artist, edhe për mua, është diçka vërtet e paarritshme fakti që ne jemi pretendentë”, përfundon Pirgu për “GSH”.

PIRGU NË “QIELL”
Opera “Krol Roger” (Mbreti Roger) ku Pirgu ka interpretuar, është vënë në skenën e “Royal Opera House” në Londër me regji të Kasper Holten, nën dirigjimin e Antonio Pappanos, producent Jonathan Allen. Në skenë me Pirgun kanë interpretuar edhe Georgia Jarman e Mariusz Kwiecie?. I gjithë produksioni është nominuar në kategorinë “Best Opera Recording” (Regjistrimi më i mirë operistik), pasi “Król Roger” është përzgjedhur si një prej pesë produksioneve më të mira. Ceremonia e çmimeve të “Grammy”, ku do të përzgjidhet fituesi, mbahet në muajin shkurt në Los Angeles.

“Król Roger” është një opera me tri akte nga polaku Karol Szymanowski, me libret të vetë kompozitorit dhe kushëririt të tij Jaros?aw Iwaszkiewicz. Opera e ka pasur premierën e saj botërore më 19 qershor 1926 në “Grand Theatre” në Varshavë dhe pjesë e kastit ka qenë edhe motra e kompozitorit, sopranoja Stanis?awa Korwin-Szymanowska, si Roksana. Produksioni i vitit 2015, nga “Royal Opera House”, shënon vënien e saj në skenë për herë të tetë, çka do të thotë se ajo ka ardhur para publikut për pothuaj një shekull në tetë produksione të ndryshme.

Në një artikull të muajit maj të vitit 2015, “The Telegraph”, ndërsa vërente se ky “produksion i rrallë i operës së 1926-ës, shkruar nga Szymanowski, provon se është një kryevepër e lënë pas dore”.
Në të njëjtin artikull, shkruhet se Pirgu është përballur me “trimëri me rolin”. Opera është vlerësuar jo vetëm nga “The Telegraph”, por edhe nga “The Guardian”. Ndërkaq, “The Indipendent” nënvizonte atëkohë se “interpretimi nga Kwiecien, Jarman dhe Pirgu – është i mrekullueshëm”.

“Jemi në një vend që është njëherësh edhe ekzotik edhe bashkëkohor; komploti konfigurohet shpejt: mbreti i akullt Roger (Mariusz Kwiecien) ballafaqohet me një profet(heretik) karizmatik (Saimir Pirgu), i cili, i nxitur dhe i joshur nga Mbretëresha Roxana (Gjeorgji Jarman), predikon kënaqësitë e mishit…”.

Roli i Pirgut sjell idealet pagane përballë një mbreti të krishterë, duke mundur në fund të ndryshojë mbretin që njihej si xheloz e njëherësh kishte prirje homoseksuale.

Për “Opera Today”, roli i Profetit- që ka qenë i burgosur, pastaj profet, më pas e sheh të ndërrojë kostumet dhe ngjyrat, një udhëheqës i sigurt – është rol jashtëzakonisht sfidues. “Ai mishëron aspektet e ndryshme të psikikës së Krol Roger. Tenori shqiptar Saimir Pirgu ka qenë më shumë se i barabartë me kërkesat vokale dhe interpretative, i fuqishëm në vërshimet lirike dhe në të njëjtën kohë i mrekullueshëm, misterioz dhe me qëllime të këqija”.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: