SARANDË-Ndërsa Policia e Shtetit bëri të ditur se e ka nën hetim, Klement Balili prej dy ditësh rezulton i larguar nga banesa. Familjarë të Klement Balilit, i saposhkarkuar nga posti i Drejtorit të Transportit Rrugor në Sarandë thonë se ai është larguar prej 2 ditësh nga shtëpia dhe nuk kanë dijeni për vendndodhjen e tij.

Policia e Sarandës ka ushtruar kontrolle në banesën e Kelment Balilit në fshatin Stjar të Delvinës por nga i akuzuari si “Escobari” i Ballkanit nuk ka gjetur asnjë shenjë.

Zyrtarisht Policia e Sarandës deklaron se Balili nuk është gjetur në banesë. Ndërkohë që edhe të afërm të Balilit kanë thënë për blutë se nuk e dinë se ku ndodhet 44-vjeçari.

Pas një operacioni antidrogë në Greqi ku ranë në pranga disa persona, mediat greke përfolën një person shqiptar me inicialet K.B si kreun e një bande të fuqishme narkotrafiku. Policia greke shprehet se e ka shpallur në kërkim personin K.B, për të cilin shkruhet se ka lidhje të fuqishme me politikën shqiptare dhe një parti greke.

Bazuar në këto lajme, PD u shpreh se personi K.B është shtetasi Klement Balili, kreu i Transportit rrugor të Sarandës. Vetë Balili reagoi për mediat dhe i hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se nuk është hera e parë që sulmohet politikisht nga opozita.
Por ditën e djeshme, zyrtarë të qeverisë deklaruan se Balili është shkarkuar nga detyra shtetërore, ndërsa kreu i Policisë së Shtetit tha, se Balili është nën hetim.

Kurse sipas mediave të vendit fqinj, K.B cilësohet si Pablo Eskobari, Baroni i droges se Ballkanit.
Dy dite me pare Policia greke ka dhënë detaje për superoperacionin e drogës në Greqi. Në një njoftim të gjatë për mediat, Policia greke tha se ka kryer operacione të koordinuara në të gjithë zonën e Atikës. Kështu, janë bërë operacione të mëdha në Atika, Salamina, Kalithea, Veria, ku janë arrestuar 15 pjesëtarë të këtij rrjeti, 13 grekë, dhe dy shqiptarë.

Policia greke njofton se operacionet janë ndërmarrë me ndihmesën e DEA-s së SHBA-­ve. Sipas saj, organizata është mjaft e gjerë dhe përfshin edhe disa kompani transportesh që veprojnë në Europë, përmes kontejnerëve të licencuar, që shpeshherë u shpëtojnë edhe kontrolleve.

Gjithashtu, Policia greke thotë se në krye të kësaj organizate qëndronte shqiptari 44-­vjeçar, K.B por pa cilesuar te plote emrin e tij. Sipas grekeve ai është ndërlidhësi i kalimit të drogës nga Shqipëria në Greqi, kryesisht me kamionë të licencuar dhe me patentë ndërkombëtare.
Hetimet kanë nisur që në vitin 2014, dhe kanë dy vjet që ecin me sekuestrime të sasive të mëdha të drogës.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: