Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Premtimi i ministrit/ Xhafaj takon Hahn në Bruksel: S’do jemi më në listën e vendeve ku kultivohet drogë

Xhafaj-Hahn (1)

Gjatë vizitës në Bruksel, ministri i Brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj zhvilloi një takim me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Ministri Xhafaj prezantoi prioritetet dhe dokumentin politik të punës së Ministrisë së Brendshme, në këtë mandat qeverisës. Ai u ndal te lufta antikanabis duke e vënë theksin tek qëndrueshmëria e rezultateve. Ministri nënvizoi se janë marrë që tani masat për 2018, dhe Shqipëria nuk do të jetë më në listën e vendeve ku kultivohet drogë.

Një vend të rëndësishëm në bisedën mes palëve, zuri njohja me Planin e Veprimit, Operacioni “Forca e Ligjit”, duke u ndaluar në elementë të tij, çfarë përfaqëson dhe si do të zbatohet. Ministri pohoi se janë skanuar grupet kriminale dhe asetet e tyre. Ai veçoi ndihmën e ekspertëve të huaj të atashuar në Task Forcën Speciale. Zoti Xhafaj informoi Komisionerin për procesin e Vettingut që do të kryhet në Policinë e Shtetit.

Xhafaj-Hahn (2)

Duke u ndaluar tek masat për frenimin e azilkërkimit të paligjshëm dhe migracionin e parregullt, ministri i Brendshëm shqiptar veçoi bashkëpunimin me Francën, si një shembull pozitiv për minimizimin e fenomenit.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit tha se shembulli i bashkëpunimit të palës shqiptare me Francën, duhet avancuar edhe me vendet e tjera europiane.

“Periudha në vijim është shumë deçizive për Shqipërinë”, u shpreh Komisioneri Hahn. Ai sugjeroi njohjen më të thellë të arritjeve të palës shqiptare, përmes medias së huaj, për të reduktuar efektet negative të stigmatizimit të padrejtë të vendit.

Xhafaj-Hahn 3

Ministri Xhafaj nënvizoi se rezultatet e prekshme të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, janë fryt i vendosmërisë për të forcuar shtetin ligjor. Bashkëpunimi me vendet fqinje për ngritjen e Qendra Rajonale e Bashkëpunimit Policor, sipas tij, ka nevojë për mbështetje nga vendet e BE-së.

(m.k/BalkanWeb)





Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.