Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të takojë sot në Vatikan Papa Françeskun. Siç njofton Presidenca, në këtë takim presidenti Thaçi do të falënderojë Atin e Shenjtë për mbështetjen që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës në periudha të ndryshme dhe rolin e tij në promovimin e paqes në botë.

Mës të tjerash bëhet e ditur se Thaçi do të informojë Atin e Shenjtë për proceset politike në vend, pas krijimit të institucioneve të reja, për reformat e gjithëmbarshme në sektorin e ekonomisë, arsimit dhe avancimin e drejtave të njeriut dhe komuniteteve. Në këtë takim, presidenti Thaçi po ashtu do të bisedojë me Papa Françeskun për krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që synon përmbylljen e konfliktit shekullor dhe pajtimin ndërmjet dy shteteve dhe popujve.

Fill pas këtij takimi, Thaçi do të udhëtojë për në Amerikë, ku do të pritet në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Pence. Në këtë takim do të diskutohet për tema të ndryshme me interes të të dy shteteve tona. Presidenti Thaçi do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe procesin e integrimeve euroatlantike. Thaçi do të kërkojë po ashtu përfshirjen e SHBA-ve në fazën e fundit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një garantues i paqes dhe stabilitetit në rajon.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: