Një valë protestash kanë shpërthyer në Turqi, pas shkarkimit nga detyra të 28 zyrtarëve, nga bashkitë e qyteteve kryesisht kurde.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe bomba me ujë për të shpërndarë turmat, ndërkohë që ka arrestuar disa prej protestuesve.

Këto shkarkime vijnë në kuadër të spastrimeve ndaj atyre të cilët dyshohet se kanë lidhje me organizatat terroriste.

Presidenti Erdogan është shprehur gjatë kësaj jave, se heqja nga detyra e zyrtarëve të dyshuar është një ndër pikat kyçe të luftës kundër militantëve kurdë.

Ai kishte deklaruar se fushata kundër militantëve të Partisë së Punës së Kurdistanit, është më e madhja deri më tani në Turqi.

Zyrtarët u shkarkuan pas ligjit që hyri në fuqi më herët gjatë këtij muaji, duke ndjekur grushtin e dështuar të shtetit në korrik dhe po zëvendësohen me persona të besuar të qeverisë. Deri më tani, dhjetëra mijëra njerëz janë spastruar nga postet e tyre qeveritare, nën akuzën se kishin lidhje me organizatat terroriste.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: