TIRANE- Qeveria do të fshijë gjobat dhe kamatëvonesat të periudhës para dhjetorit të vitit 2010. Ky lajm i mirë është dhënë nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Në një konferencë për shtyp, Ahmetaj tha se pjesë e kësaj skeme lehtësuese do të jenë edhe gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën 2010-2014, të cilët po ashtu do të fshihen. Nga ana tjetër numri një i Financave në vend tha se do të falen taksat dhe gjobat për makinat të periudhës para vitit 2010.

“Dua të ndaj me ju disa detaje të Projektligjit që kaluam sot në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave, “Për Pagesën dhe Fshirjen e Pjesshme të Detyrimeve Tatimore dhe Detyrimeve të Pagueshme në Doganë, si dhe Procedura e Heqjes nga Qarkullimi të Automjeteve të Transportit pas Fshirjes së Detyrimit Tatimor”.
Pikë së pari, është e rëndësishme të sjell në vëmendje se ky ligj për fshirjen e pjesshme të detyrimeve, vjen pas një aksioni të koordinuar nga ana e qeverisë dhe masave konkrete të ndërmarra në dy drejtime paralele, në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Përgjatë dy viteve të fundit, kemi ndërmarrë një betejë të gjerë dhe me rezultate konkrete kundër informalitetit në ekonomi, për të rikthyer ligjshmërinë dhe ndërtuar “një stil të ri jetese për qytetarët”, i cili në kuadër të fazës se dyte u konceptua me një qasje krejt tjetër të orientuar drejt edukimit, ndërgjegjësimit, komunikimit intensiv me sipermarrjen, me qëllim përmbushjen e parimit të vetëkorrigjimit.

Së dyti, e gjithë kjo u shoqërua me një paketë të thjeshtimit të procedurave për sipërmarrjen, një revolucion për herë të parë në 25 vite në klimën e biznesit në vend. 42 procedura të prekura, lehtësi dhe mbështetje e drejtpërdrejtë për sipërmarrjen. Ndër vite janë ndërmarrë iniciativa ligjore për faljen e detyrimeve tatimore e doganore, por ato asnjëherë nuk janë ndërmarrë paralelisht me thjeshtimin e procedurave, fushata sensibilizuese për rritjen e ndërgjegjësimit si dhe luftën kundër informalitetit, duke çuar kështu në mospërmbushjen e plotë të objektit kryesor të faljes së detyrimeve fiskale. Kjo është arsyeja pse një masë e madhe detyrimesh tatimore dhe doganore edhe pse kanë qenë objekt i ligjeve të faljeve ndër vite, kanë mbetur në llogarinë e tatimpaguesve dhe nuk janë shuar. Detyrimet që fshihen me këtë ligj i përkasin periudhave tatimore përpara 6 vjetëve, dhe përveç faktit se një pjesë e tyre duhej të fshiheshin si rezultat i ligjeve të mëparshme të faljeve, për këto detyrime, në zbatim të nenit 100 të Ligjit 9920/2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, të ndryshuar, e drejta për fillimin e procedurave për zbatimin e masave shtrënguese parashkruhet brenda 5 viteve nga data kur detyrimi tatimor i papaguar duhej të paguhej. Pra, këto detyrime rezultojnë si të pambledhshme, duke qenë se është tejkaluar afati ligjor i mësipërm. Projektligji “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në Doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes se detyrimeve tatimore”, propozohet në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1, dhe 155, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe institucioni propozues është Ministria e Financave.”, tha Ahmetaj.

Po ashtu, ministri ndau një tjetër lajm të mirë me publikun, ndërsa deklaroi se sot Këshilli i Ministrave kaloi vendimin për rritjen e pensioneve. “Lajm tjetër i mirë për pensionistët pasi sot Këshilli i Ministrave kaloi vendimin për rritjen e pensioneve. Ndaj në 2 mars do nis rritja. Kjo vjen në favor të pensionistëve dhe familjeve në nevojë. Projekti social vazhdon. “, përfundoi Ahmetaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: