TIRANE- Pas publikimit të lajmit në disa media botërore se me Shqipërinë po negociohet për të pritur mijëra refugjatë sirianë, reagoi qeveria. Drejtori për Komunikimin pranë Kryeministrit, Endri Fuga, tha se masat që po merr qeveria janë të njëjta me vendet e Bashkimit Europian për të përballuar një moment emergjence.

“Ne kemi marrë masa si çdo vend i Bashkimit Europian në këto momente ku ka një emergjencë refugjatësh. Sot, rruga e tyre e kalimit nuk e prek Shqipërinë, por në të ardhmen kjo gjë nuk duhet. Ndaj, qeveria duhet të ketë gati një plan masash. Nuk ka histori pritjesh refugjatësh.

Nuk ka asnjë negociatë dhe asnjë diskutim”, tha Fuga. Sipas gjermanes “Bild” dhe anglezes “The Daily Tepegraph”, qeveria shqiptare po dakordësohet me Bashkimin Europian për të strehuar në Shqipëri të paktën 75 mijë refugjatë sirianë.

Sipas raportimeve, sirianët mund të strehohen në kazerma të vjetra ushtarake. Mësohet se pak ditë më parë, zv.kryeministri Niko Peleshi ka mbledhur gjashtë ministra të linjës së emergjencës për t’u kërkuar atyre gatishmëri të plotë dhe përllogaritje të fondeve nëse Shqipëria do të përballet në ditët në vijim me ndonjë fluks emigrantësh që zbarkojnë në Ballkan nga vendet e luftës së veriut të Afrikës.
Mësohet se Organizata e Kombeve të Bashkuara përmes programit të saj UNHCR ka kontaktuar përfaqë­ sues të qeverisë shqiptare për të mësuar gatishmërinë e Shqipërisë në përballimin e një fluksi të mundshëm refugjatësh nga vendet e Afrikës dhe në një të ardhme të afërt edhe mundësinë e akomodimit të një pjese të tyre për të shtensionuar situatën e krijuar në disa vende të Ballkanit dhe të Bashkimit Europian.
Lëvizjet janë bërë pak ditë para nisjes për në Nju Jork të Kryeministrit Rama, i cili do të marrë pjesë në nisjen e punimeve të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-­së e ku Presidenti amerikan Obama do të zhvillojë një samit ndërkombëtar për luftën ndaj shtetit islamit të ISIS-­it, shkruan “Panorama”.

Parlamenti Europian miratoi pak ditë më parë propozimin emergjent për shpërndarjen e 120 mijë azilkërkuesve që ndodhen në Itali, Greqi, Hungari dhe vendet e tjera të BE. Ky vendim është miratuar me propozim të Komisionit Europian. Sipas propozimit të KE, 15 600 refugjatë do të zhvendosen nga Italia, 50.400 nga Greqia dhe 54.000 nga Hungaria.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: