Berati lidhet me Elbasanin dhe përtej me një aks të ri, duke shkurtuar me 1 orë kohën e lëvizjes. Kryeministri Edi Rama inspektoi përfundimin e një prej segmenteve kryesore të saj, Cërrik – Belsh – Ura Vajgurore – Kuçovë, 36 kilometra, një investim prej afro 30 milionë dollarësh.

“Rruga merr një vlerë edhe më të madhe, jo vetëm se lehtëson lëvizjen, por ul edhe koston e daljes së prodhimeve të fermerëve në treg. “Këto janë 35 kilometra të reja faktikisht dhe janë transformuese për të gjithë zonën, edhe për lëvizshmërinë, edhe për shpejtësinë e lidhjes midis zonave të banuara këtu dhe Beratit, Elbasanit, Tiranës, por janë shumë të rëndësishme për të gjithë ekonominë bujqësore, sepse krijojnë një lehtësi të jashtëzakonshme për të gjithë fermerët dhe i shpëtojnë njëherë e mirë nga të gjithë torturat e nxjerrjes së prodhimit në treg”, tha kryeministri Rama.

Gjatë qëndrimit në Berat, kreu i qeverisë ka inspektuar edhe punimet e përfunduara të fazës së parë të projektit të Mbrojtjes Lumore me rehabilitimin e digave dhe zonës përreth lumit. Duke shfrytëzuar praninë e Kryeministrit, banorët i shprehën edhe problemet që u krijohen si pasojë e guroreve në Skrapar, duke përshëndetur vendimin për mbylljen e tyre.

“Problemi, – tha një prej banorëve, – ngelen ato guroret, këto na prishin shumë punë. Me tymin e makinat që kalojnë në zonën tonë, në zonën e Guri Bardhit, e kemi shumë problem me to. Ishte një vendim i saktë për guroret që u mbyllen në Skrapar, ku ishin”.

“Mbyllëm guroret në malin e Tomorit, do të vazhdojmë të mbyllim të gjitha guroret që nuk zbatojnë standardet. Guroret duhet të jenë brenda të gjithë standardeve, që nga faza kur jepet leja deri tek faza kur vazhdojnë shfrytëzimin dhe mbi të gjitha, kush e shfrytëzon, e shfrytëzon për të marrë gurin për të fituar, por duhet që një pjesë fitimi, siç thotë ligji dhe siç thonë kontratat ta ndajnë me komunitetin për të gjelbëruar, në mënyrë që të mos lëri mbrapa rrënim, siç ka ndodhur malin e Tomorit, siç ka ndodhur rrugës për të shkuar në Krujë, apo siç ndodh këtu. Por të lëri mbrapa park, domethënë, një natyrë të pacenuar.

Kështu që hap pas hapi po bëjmë gjera që, në qoftë se do të ishin bërë në kohën e duhur, sot do të ishim duke u marrë me gjera krejt tjera. Unë e di që për një familje, për një njeri, 25 vjet janë shumë, por ne po i bëjmë gjerat me radhe. Sigurisht edhe një pemë për t’u rritur do kohën e vet, s’mund të rritet nga sot nesër. Këtu në këtë komunitetin tënd, pyet se e dinë që unë po thashë një gjë e bëj, kur s’e bëj dot, nuk e them”, u përgjigj Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb